Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Administrata e vendosur ta vazhdojë grevën në institucionet e drejtësisë

Sistemi i drejtësisë

Tash e dy javë administrata në Pallatin e Drejtësisë është në grevë me kërkesën për t’iu dhënë zgjidhje tri çështjeve që lidhen me të ardhurat mujore. Ministrja Haxhiu u ka bërë thirrje që ta ndërpresin grevën, meqë ka thënë se kërkesat janë në proces të zgjidhjes. Ndërsa në Këshillin e Grevistëve i kanë thënë KOHËS se greva do të vazhdojë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje punëtorëve të administratës në institucionet e drejtësisë që të ndërpresin grevën.

Tash e dy javë administrata në Pallatin e Drejtësisë është në grevë me kërkesën që të aprovohet Ligji për punëtorët e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive; të bëhet përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; si dhe të bëhet pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Këtë grevë Haxhiu e ka cilësuar të panevojshme, pasi që, sipas saj, kërkesat e grevistëve janë duke u adresuar nga ministria të cilën e drejton.

“I bëj thirrje stafit të institucioneve të drejtësisë që të ndërpresë grevën për faktin se ne jemi duke punuar që t’i realizojmë kërkesat që i kanë. Ne jemi duke punuar edhe në Projektligjin për Paga, edhe në Projektligjin për Administratën e Sistemit të Drejtësisë dhe nuk ka arsye për momentin që të hyjnë në grevë, sepse kështu po i vuajnë pasojat qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë shumë nevoja dhe ato nevoja nuk po mund t’i realizojnë për shkak të grevës”, ka thënë ministrja Haxhiu në një ngjarje të organizuar nga “D+”. “Asnjëherë nuk them që greva nuk është e drejtë. Janë në të drejtën e tyre demokratike, mirëpo për sa kohë që institucionet e Republikës së Kosovës po i adresojnë kërkesat që ata kanë, unë konsideroj që greva duhet të ndërpritet”.

Por Florent Krasniqi, udhëheqës i Shtabit të Këshillit të Grevistëve, ka thënë se greva është e pashmangshme për shkak të rritjes së çmimeve në tregun vendor.

“Ne grevën e kemi të pashmangshme derisa të realizojmë kërkesat tona. Nuk janë kërkesa të jashtëzakonshme diçka që janë të papranueshme. Kemi bërë kërkesa për një mirëqenie më të mirë. Nuk janë kërkesa që nuk munden me u realizua si nga Ministria e Financave ashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë”, i ka thënë KOHËS Krasniqi.

Ndërkaq në tryezën e organizuar nga “D+”, ministrja Haxhiu theksoi si problematik grumbullimin e lëndëve civile nëpër gjykata. Sipas saj, ankesat që shkojnë në Ministrinë e Drejtësisë kanë të bëjnë me zvarritjen e lëndëve.

“Ka edhe të natyrës penale, por kryesisht lidhen me ato të natyrës civile. Si Ministri e Drejtësisë në kuadër të reformave i kemi dhënë edhe fokus të veçantë mbrojtjes së kësaj, të drejtat themelore procedurale të njeriut, për faktin se ne kemi themeluar grupin punues që e ka për mandat të hartojë koncept-dokumentin që ka për qëllim realizim e të drejtave civile të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka premtuar se ky problem do të marrë zgjidhje. Madje ka thënë se brenda një viti kjo problematikë do të marrë fund.

“Keni parë që në Gjykatën Supreme ne kemi emëruar tre gjyqtarë, dhe shumë shpejt do të kemi edhe dy gjyqtarë dhe përfundimisht ne do të garantojmë, e them me përgjegjësi edhe para publikut, që çdo çështje në Gjykatën Supreme do të trajtohet brenda tre muajve. Kemi rekrutuar 13 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, dy në divizion dhe 11 në Gjykatën e Apelit në qendër Prishtinë, dhe jam i sigurt që çështja sfiduese e trajtimit të lëndëve civile në Gjykatën e Apelit brenda një viti nuk do të jetë temë më, për shkak se ne përfundimisht me kapacitetet e shtuara në këtë gjykatë do të arrijmë që çdo çështje të caktohet brenda nja afati të arsyeshëm”, ka thënë Zogaj.

Në raportin e “D+”, i publikuar të martën, theksohet se rreth 35 për qind të seancave nuk kanë filluar me kohë.

Artikuj të ngjashëm