Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq: E vetmja gjë që di Kurti është t’i fryjë borisë së luftës

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vendimet për targat dhe letërnjoftimet, ka shkelur marrëveshjet e Brukselit.

Sipas Petkoviqit, Kurti po do dhunë dhe se këtë po e konfirmon edhe me deklarimet e fundit.

“E vetmja gjë që Albin Kurti di është t’i fryjë borisë të luftës dhe të udhëheq politikë kërcënimesh e shantazhesh, siç dëshmohet nga deklaratat e tij të fundit. Në to ai konfirmoi sërish se dëshiron konflikte dhe se i pëlqen të flasë çdo ditë për luftë”, ka thënë Petkoviq, raporton faqja e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviq ka shtuar se këmbëngulja e Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare që Kurti t'i tërheqë masat e reciprociteit, kishin qëllim t’i jepnin një rast dialogut dhe bisedimeve në Bruksel.

“Në vend të formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, që do t’u jepte serbëve të drejtat e tyre kolektive dhe siguri të shtuar, Kurti vazhdon me planet e tij militante, qëllimi përfundimtar i të cilave është dëbimi i popullit serb dhe institucioneve të shtetit serb nga territori i Kosovë e M., por ai s’do të ketë sukses”, ka shtuar Petkoviq.

Edhe Petkoviq: Kurti s’mund ta rishkruajë Marrëveshjen e Brukselit Arbëri Petkoviq: Kurti s’mund ta rishkruajë Marrëveshjen e Brukselit

Petkoviq ka thënë se serbët do të vazhdojnë të “ruajnë paqen e stabilitetin, por do të ruajnë edhe mbijetesën e tyre në Kosovë e M. dhe të drejtat e tyre të garantuara”.

“As targat e Serbisë nuk janë të Millosheviqit, siç thotë Kurti, e as letërnjoftimet e Serbisë nuk janë të paligjshme, që Kurti t’i zëvendësojë ato me dokumente për 90 ditë, sikur serbët të jenë të huaj në Kosovë e M. Serbët në Kosovë e M. kanë dokumente të shtetit të Serbisë që janë të vlefshme dhe në përputhje me të gjitha ligjet e saja, rregulloren, Kushtetutën, dhe nuk janë ato në kundërshtim me asnjë marrëveshje të Brukselit”, ka thënë Petkoviq. “Kurti do t’i anulojë me forcë dokumentet serbe, sepse ai e di shumë mirë se në asnjë marrëveshje kjo nuk ekziston. Serbët do të vazhdojnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin, por do të ruajnë edhe mbijetesën e tyre në Kosovë e M. dhe të drejtat e tyre të garantuar”.