Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq: Prioritet i Kurtit është shkaktimi i tensioneve dhe krizave

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të drejtë kur thotë se dialogu nuk është prioriteti i tij i parë dhe as i dytë, sepse sipas Petkoviqit, prioritet i tij është të shkaktojë tensione, kriza dhe përshkallëzim të situatës, jo vetëm në veri, por dhe në hapësirën e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kurti përsëriti të mërkurën në Kuvend se dialogu vazhdon të mbetet ashtu siç ka thënë para një viti e gjysmë, në vendin e gjashtë apo të shtatë.

“Për të gjithë botën është e qartë se në vend të bisedimeve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Kurti dëshiron konflikte dhe trazira, sepse kjo është politika e tij e vetme”, thotë Petkoviq, transmeton Tanjug. 

Ai shton se përveç kësaj, lartë në listën e prioriteteve të Kurtit është keqtrajtimi dhe heqja e të drejtave të serbëve, heqja e të drejtave të tyre elementare njerëzore dhe qytetare, si dhe shkelje brutale e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Kjo sigurisht përfshin refuzimin e formimit të Asociacionit pas dhjetë vjetësh, i cili garanton të drejtat kolektive të serbëve në Kosovë, ndërsa në të njëjtën kohë shkel me përkushtim të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura nën patronazhin e Bashkimit Evropian”, shtoi Petkoviq.

Edhe Petkoviq: Kurti s’mund ta rishkruajë Marrëveshjen e Brukselit Arbëri Petkoviq: Kurti s’mund ta rishkruajë Marrëveshjen e Brukselit

Petkoviq thekson se Marrëveshja e Brukselit nuk është një bufe nga e cila Kurti mund të marrë atë që i përshtatet.

“Është e nevojshme që të respektohen marrëveshjet e nënshkruara dhe themeli i Marrëveshjes së Brukselit është pikërisht Asociacioni. Prishtina është përkushtuar për këtë në rundin e fundit të negociatave në Bruksel, duke pranuar që të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen”, ka përfunduar Petkoviq.