Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq: Puna e Kurtit është të zbatojë atë që është nënshkruar

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti të hënën ka thënë se nuk do ta lejojë formimin e një Republika Sërpska në veri të Kosovës.

Petkoviq në reagimin e tij ka thënë se “Kurti nuk ka kompetencë për të treguar se si formohet Asociacioni dhe se detyra e tij është vetëm ta zbatojë atë që është nënshkruar”.

“Kurti nuk është i autorizuar të lejojë apo të mos lejojë diçka kur bëhet fjalë për AKS-në, sepse kompetencat e tij dhe mënyra se si do të formohet janë përcaktuar përmes katër marrëveshjeve të Brukselit nga vitet 2013 dhe 2015, dhe nuk ka vend për arbitraritet”, tha Petkoviq në një reagim me shkrim, raporton “Tanjug”. “Puna e Kurtit është të zbatojë atë që është nënshkruar, me kusht që ai fillimisht të mësojë se si quhen marrëveshjet, kur janë nënshkruar dhe çfarë thuhet në to”.

Petkoviq ka thënë se e gjithë tjetra është “tentim për të penguar procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.

“Nga çfarë thotë Kurti e çfarë bën, del se ai aspak nuk është i interesuar në këtë proces”, tha Petkoviq.

Kurti për mediumin kroat “Hina” ka thënë se nuk do të lejojë një Republika Sërpska të re.

Edhe Kurti: S’lejojmë krijimin e Republikës Sërpska në veri Arbëri Kurti: S’lejojmë krijimin e Republikës Sërpska në veri

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Të martën në Bruksel mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Sebrisë, Aleksandar Vuçiq.