Arbëri

Pesë ministrat e Shëndetësisë dërguan jashtëligjshëm anëtarë në Bordin e SHSKUK-së

Prej vitit 2014, kur është bërë riorganizimi i SHSKUK-së, bordi i këtij institucioni ka pasur një anëtar të jashtëligjshëm.

Zyra Ligjore e Qeverisë së Kosovës ka lëshuar opinion ligjor në lidhje me atë nëse anëtarët e kabinetit të ministrit mund të jenë pjesë e Bordit.

Sipas këtij opinioni ligjor të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se një gjë e tillë nuk mund të bëhet për shkak që anëtarët e kabinetit të ministrit përfaqësojnë ministrin, por jo institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë e kanë argumentuar me faktin që këshilltarët e ministrave nuk kanë kompetenca drejtuese ose administrative për të qenë pjesë e Bordit. Në pikën 3.3 të vendimit, argumentohet pse këshilltari i ministrit nuk mund të jetë pjesë e Bordit.

“Duke qenë se kabineti nuk është pjesë e strukturës hierarkike të Ministrisë, dhe pasi që këshilltarët politikë ose këshilltarët e jashtëm politikë nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative, si dhe duke qenë se marrëdhënia e punës së zyrtarit të kabinetit është marrëdhënie besimi me titullarin e kabinetit të cilit i shërben zyrtari, funksioni i këshilltarit politik është imkopatibil me funksionin e përfaqësimit si përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë në Bordin drejtues të SHSKUK-së në kuptim të nenit 64, paragrafi 3”, thuhet në opinionin ligjor.

Ky opinion ligjor është nxjerrë pas kërkesës së Bordit aktual nga Zyra e Kryeministrit për legjitimitetin e anëtarit të këtij bordi, Diellor Rizaj, këshilltar i ministrit Armend Zemaj.

Bordi, sipas Statutit, duhet të ketë shtatë anëtarë, njëri nga ta duhet të jetë përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë.

Prej kur ka hyrë në fuqi ligji që e ka paraparë që SHSKUK-ja të ketë Bord drejtues, secili ministër në vend se të delegojë ndonjë zyrtar të administratës si përfaqësues, kanë deleguar anëtarë të kabinetit - njerëz politikë.

Zemaj është i fundit që e ka ndjekur këtë praktikë që është konsideruar nga ZKM-ja e jashtëligjshme.

Ish-ministri Arben Vitia, pjesë e Qeverisë Kurti, pati deleguar në Bord po ashtu këshilltarin e tij, Mirsad Shkreta.

Edhe në kohën e ish-ministrit, Uran Ismaili, ishte ndërruar përbërja e Bordit të SHSKUK-së.

Përfaqësues i MSH-së, me propozim të Ismailit anëtar i Bordit, u bë Ardian Ferizi që ishte këshilltar i tij.

Për herë të parë SHSKUK-ja me bord është bërë në vitin 2014. Atëkohë, ministër i Shëndetësisë ishte Ferid Agani.

Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë në Bord atë kohë ishte caktuar ish-zëvendësministri i këtij institucioni, Shemsi Veseli, nga PDK-ja.

Ndërkohë, ishte ndërruar Qeveria, por edhe pse më Veseli nuk e mbante pozitën e zëvendësministrit, ai ka përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë në këtë bord, edhe për gati dy vjet.

Opinioni ligjor i Zyrës së Kryeministrit nuk ka konsekuenca ligjore.

Prej ristrukturimit të SHSKUK-së janë ndërruar 5 ministra e tri përbërje të Bordit.