Arbëri

SHSKUK-ja pa mbikëqyrje tash e dy muaj

Për më shumë se dy muaj Shërbimi Spitalor Klinik Universitar funksionon pa mbikëqyrje nga Bordi Drejtues e rrjedhimisht edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria. Ky trup, që ka për detyrë të sigurojë llogaridhënie dhe kontroll, nuk është mbledhur që nga 18 qershori, ndonëse institucioni po përballet me hetime tenderësh e me mungesa të ndryshme furnizimi me ilaçe

Organi më i lartë vendimmarrës i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka mundësuar që menaxhmenti i këtij institucioni shëndetësor ta ushtrojë veprimtarinë pa mbikëqyrje që prej 18 qershorit. 

Me mosmbajtjen e mbledhjeve të rregullta prej më se dy muajsh, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka lejuar që ky institucion ta kalojë pa kontroll e pa llogaridhënie periudhën kur disa tenderë u janë nënshtruar hetimeve nga organet e hetuesisë, kur pacientët janë përballur me mungesa ilaçesh dhe me vonesa në furnizim me produkte nga kompani të kontraktuara, pavarësisht gjobave të shqiptuara për këtë.

Bordi e ka shkelur nenin 8 të Rregullores së Punës, i cili përcakton që anëtarët të mblidhen së paku një herë në muaj. Gjithnjë, në rend dite të takimeve është edhe raportimi i drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi. 

E Bordi që nga 20 qershori ka mbetur edhe pa kryesues.

Bordi drejtues i SHSKUK-së është emëruar nga Qeveria përmes propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithëse, sipas legjislacionit në fuqi, këto dy institucione e kanë për detyrë mbikëqyrjen e veprimtarisë së SHSKUK-së, ato prej më shumë se dy muajsh e kanë lejuar neglizhencën e këtij bordi, duke mos ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj tyre.

Statusi i SHSKUK-së parasheh që Bordi Drejtues t’i jap llogari Qeverisë nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë. Në Ministrinë e Shëndetësisë e arsyetuan mungesën e mbledhjeve me pushimet vjetore.

“Bordi ka mbajtur gjithashtu një punëtori dyditore më 24 dhe 25 korrik 2025, ku janë shqyrtuar raportet gjashtëmujore, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe disa çështje të tjera. Për shkak të pushimeve vjetore dhe mungesës së kuorumit, në muajin gusht të këtij viti nuk është mbajtur asnjë mbledhje, një praktikë kjo e përsëritur edhe vitin e kaluar në të njëjtin muaj. Gjatë muajit shtator 2025 do të mbahet mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

E Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, thotë se funksionimi aktual i SHSKUK-së e shpërfaq paralizën në sektorin e shëndetësisë.

“Është shumë befasues komoditeti i anëtarëve të bordit, nëse ministri e ka ndarë mendjen që këta njerëz nuk duhet të vazhdojnë me bord, të paktën duhet ta thotë publikisht, duhet të ketë një distancë, por mënyra qysh aktualisht sot funksionon shëndetësia duket një koordinim për të mos bërë asgjë në sektor”, ka thënë Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore.

Ramaj e vlerëson të dobët performancën e menaxhmentit aktual, tek thekson se ka ngecje në shumë projekte të shëndetësisë. E për këtë ajo thotë se Ministria duhet të ndërmarrë masa.

“Ministria duhet me u përcaktu qartë dhe kjo është përgjegjësi e ministrit Vitia, a ia fal besimin këtij bordi, nëse ia fal besimin këtij bordi, atëherë duhet të kërkojë përgjegjësi se pse bordi nuk po e kryen punën e vet, nëse nuk ia fal besimin, ai besoj e ka të qartë se cilët janë hapat për ta bërë zëvendësimin dhe ndërrimin, gjë që rrjedhimisht do të ndikonte edhe në ndryshimin e menaxhmentit të SHSKUK-së”, ka thënë Ramaj.

Bordi drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë. Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Rrezarta Bajrami, Ismet Ramadani, Vjollca Kadolli e Besa Alidemaj nuk ofruan përgjigje lidhur me shkeljen e Rregullores së Punës nëpërmjet mosmbajtjes së mbledhjeve të rregullta.