Në Bashkimin Evropian po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje ideja për vendosjen e masave të sigurisë ndaj vendeve të ardhshme të reja anëtare në rast se ato shënojnë kthim prapa në respektimin e vlerave dhe standardeve evropiane.
Disa shtete të BE-së, përmes një letre të përbashkët, kanë kërkuar që këto “siguresa“ të vendosen edhe në Traktatet e anëtarësimit në procesin e zgjerimit. Ato do të përfshinin edhe heqjen e përkohshme të së drejtës së vetos për shtetet e reja anëtare në disa fusha ku kërkohet unanimiteti siç janë politika e jashtme dhe zgjerimi.
Po ashtu kanë kërkuar faza transitore për qasjen në tregun e punës së BE-së dhe në mundësitë e dhënies së shërbimeve.
Në dokumentin e nënshkruar nga Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, që të pestat themeluese të BE-së, thuhet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që kur në vitin 2013 në BE kishte hyrë Kroacia dhe tash zgjerimi shihet jo vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit.
Nënshkruesit e kësaj letre kërkojnë po ashtu që edhe shfrytëzimi i mjeteve të BE-së për vendet e reja anëtare të lidhet me respektimin e sundimit të ligjit, lirive të përgjithshme dhe të ketë vegla për të sanksionuar ato vende që do të shkelnin këto parime në të ardhmen.
Edhe në të kaluarën në Traktatet e anëtarësimit me vendet e reja anëtare ka pasur raste kur janë vendosur kufizime për ato vende në një fazë transitore por tash kërkohet që kjo të përdoret në mënyrë më të gjerë.
Edhe
Pesë vende të BE-së paraqesin udhëzime për kufizim të vendimarrjes për anëtarët e rinj