Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, është përplasur me publicistin Veton Surroi, në disa postime në Facebook lidhur me diskutimet që janë zhvilluar nga delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, në takime të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998.
Haliti në një intervistë në emisionin Frontal në T7 ka akuzuar delegacionin e Kosovës, pjesë e të cilit sipas tij ishin edhe Surroi dhe Fehmi Agani, që në një takim me ish-presidentin e SHBA-së Bill Clinton kanë folur keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Pas kësaj deklarata ka reaguar Surroi duke thënë se kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ai ka thënë se delegacioni ka mbrojtur kauzën e Kosovës.
“Krejtësisht e pavërtetë! Habitë se si i njëjti rrëfim naiv (‘e kemi siguruar procesverbalin’) qarkullon pas 26 vjetësh. Delegacioni që ka takuar Clintonin ka mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje vendimtare amerikane për vendin, nuk është marrë me përgojime as atëherë e as ndonjë herë tjetër. Kam pritur më shumë respekt për të apostrofuarit që nuk janë më ndër ne”, ka shkruar Surroi.
Pas kësaj Haliti ka publikuar një kabllogram që ka thënë se është i bisedës së Ibrahim Rugovës me ushtruesin e detyrës së Sekretarit, Strobe Talbott.
“Një vend të kundërpërgjigjes ndaj disa reaguesve: ja kabllogrami nga takimi i delegacionit të Kosovës, udhëhequr nga Ibrahim Rugova, me sekretarin e shtetit, Stroble Talbott”, shkruan Haliti.
Në këtë kabllogram Rugova citohet të ketë kërkuar mbështetje nga SHBA-ja. Ndërsa në lidhje me UÇK-në ai citohet të ketë thënë se “ka grupe të frustruara në Kosovë, veprimet e të cilave po përdoren si pretekst nga Milosheviqi për të kryer masakra”.
Pas kësaj ka reaguar Surroi duke thënë se ajo që e ka publikuar Haliti nuk është “stenogram nga takimi i delegacioni i Kosovës me presidentin Clinton”.
“Dr. Rugova edhe në këtë takim ka kërkuar rolin prijës dhe aksion parandalues të SHBA-ve. Nuk ka përgojim të UÇK-së; është përshkruar cikli i dhunës i autoriteteve serbe që kanë marrë si shkas përgjigje ndaj aksioneve të UÇK-së për vrasje të civilëve shqiptarë (nga Likoshani e Qirezi deri në Lubeniq)”, ka shkruar Surroi.