Publisti Veton Surroi ka thënë se verdikti i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ua mohon atyre rolin historik në luftën e drejtë të UÇK-së dhe arritjen e pavarësisë.
Surroi ka propozuar që në Kuvend të Kosovës të miratohet një rezolutë mbi parimet që përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së. Të akuzuarit të kenë të drejtën e një procesi të drejtë dhe të përdorimit të plotë të mjeteve juridike e viktimat të kenë të drejtë për njohje, të vërtetë dhe drejtësi.
“Çdoherë ka nevojë për lidership politik, moral, social, i cili thërret që ky proces të bëhet me maturi e qetësi. Emocionet janë krejtësisht të arsyeshme e kuptueshme...Por, çfarë nevojitet është të merret me qetësinë me të cilën do respektuar dinjitetin e të akuzuarve, dhe të viktimave dhe të drejtat e tyre. Njëra e drejtë nuk e mohon të drejtën tjetër...mendoj se prijësit e partive politike, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësi historike. Nuk janë zgjedhur vetëm për momente të lehta, por janë zgjedhur edhe për momente të vështira. Si ky është moment historik, në këtë moment historik duhet ta japim provimin. Nuk e japim provimin duke u ndeshur me njëri-tjetrin, por duke krijuar pika të unitetit me njëri-tjetrin”, tha Surroi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka treguar se si në Konferencën e Rambujesë kishte qenë po ashtu e vështirë të arrihet unitetit, por u arrit. E po ashtu ka përmendur edhe Vjenën, që tha se procesi ishte më i lehtë pasi negociatat u mbajtën në kushte të paqes.
Surroi ka thënë se duhet miratohet ajo rezolutë në Kuvend, pasi UÇK-ja është liruar juridikisht, atëherë pse duhet fajësuar politikisht.
Edhe
Surroi: Dy fakte historike s’ndërrohen, UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe është faktor i Pavarësisë së Kosovës
“Nëse UÇK-ja nuk është dënuar juridikisht, pse duhet fajësuar politikisht ajo...Për një vrasje, një ndalesë arbitrare apo akt të torturës, krime të luftës, nuk mund të akuzohet tërësia. Tërësia është e qartë. UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë. E kjo luftë ishte e drejtë, ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për t’u çliruar nga okupimi i Serbisë e për të arritur pavarësinë. Këta individë të akuzuar, janë pjesë e historisë për të arritur këtë dhe dënimi si i tillë nuk ua mohon rolin e vetë historik që kanë pasur në drejtimin e UÇK-së, në luftën e drejtë të UÇK-së dhe në arritjen e pavarësisë. Nuk ekziston perfeksion njerëzor. Perfeksioni, pagabueshmëria, janë elemente religjioze. Nuk ekziston luftë e pagabueshme, luftë e pastër, ekziston luftë e drejtë. Por, brenda asaj lufte të drejtë ekzistojnë edhe veprime që dënohen me Konventat e Ligjeve të Luftës”, tha Surroi.
Publicisti Surroi ka thënë gjithashtu se katërshja e UÇK-së do të duhej të përdornin mjetet juridike në dispozicion nga Këshilli i Evropës dhe këtë çështje ta dërgojnë në Gjykatën e Strasburgut.
Surroi ka kujtuar se ish-krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë janë të diskriminuar sepse nuk mund të gëzojnë të drejtat e Konventës për të Drejtat e Njeriut.
“Katër të akuzuarit tashmë të dënuar në shkallë të parë edhe kur të mbarojë Apeli dhe çfarëdo të jetë verdikti i Apelit, pra edhe po të jetë lirues, do të duhej që ata si qytetarë të Evropës dhe të Kosovës, që sot janë të diskriminuar dhe nuk mund të gëzojnë të drejtat e Konventës për të Drejtat e Njeriut, do të duhej të përdornin mjetet juridike në dispozicion nga Këshilli i Evropës, pra ta dërgonin çështjen e tyre në Strasburg. Kjo do t’i ndihmonte edhe Kosovës që ta vendoste eksperiencën e vetë me Dhomat e Specializuara brenda një sistemi të kontrollit”, ka thënë Surroi.
Dhomat e Specalizuara të Kosovës në Hagë janë krijuar në bazë të një rezolute të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kosova ndonëse nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, e ka marrë përsipër krijimin e Gjykatës Speciale.
Edhe
Surroi: Mungesa e provave për krimet kundër njerëzimit vërteton se tek UÇK-ja kjo s’ka ekzistuar
Më 16 shtator, Specialja shqiptoi dënim me burgim prej 81 vjetësh për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, e i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.