Publicisti Veton Surroi ka thënë se pika më e rëndësishme e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte rrëzimi i akuzave për krime kundër njerëzimit.
Surroi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se kjo vërtetoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime kundër njerëzimit.
“Në aktgjykim thuhet shprehimisht se nuk gjykohet lufta e UÇK-së dhe se nuk ka pasoja për çlirimin e Kosovës dhe për pavarësinë e vendit. E rrjedhimisht nuk ekziston krimi kundër popullatës civile, nuk ekziston krimi kundër njerëzimit, që ishte akuza kryesore në këtë 30 vjetësh ndaj UÇK-së”, ka thënë Surroi.
Ai ka thënë se për krime kundër njerëzimit janë akuzuar dhe dënuar udhëheqësit serbë, qoftë politikë e ushtarakë, sepse ka ekzistuar një ndërlidhje mes urdhrave e synimeve politike dhe veprimeve ushtarake.
“Te lufta e UÇK-së nuk ka ekzistuar, ajo është cilësuar si e drejtë, e drejta për ta mbrojtur vendin, e drejta për ta mbrojtur vendin nga okupimi. Në asnjë rast nuk ka ekzistuar as urdhri e as veprimi kundër njerëzimit...Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi pasi pastaj të gjitha veprimet tjera që kanë të bëjnë me aktgjykim, kanë të bëjnë me personalizim të akuzave. Pra, katër të akuzuarit akuzohen e janë dënuar për krime individuale”, ka thënë Surroi.
Ai ka thënë se në publik po adoptohet një narracion që vjen nga Serbia.
“Ky narracion është që aktgjykimi ka të bëjë me dënimin e UÇK-së dhe e konsideron UÇK-në kriminale, e rrjedhimisht pavarësia e Kosovës rrjedh nga një veprim kriminal. Është e kundërta e interesave të Kosovës”, tha Surroi.
Hashim Thaçi është dënuar më 16 shtator me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa me 25 vjet u dënua edhe Jakup Krasniqi. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, e Rexhep Selimi 13 vjet.
Surroi për ish-krerët e UÇK-së: Verdikti i Speciales s’ua mohon rolin historik në luftën e drejtë të UÇK-së
Publisti Veton Surroi ka thënë se verdikti i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ua mohon atyre rolin historik në luftën e drejtë të UÇK-së dhe arritjen e pavarësisë.
Surroi ka propozuar që në Kuvend të Kosovës të miratohet një rezolutë mbi parimet që përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së. Të akuzuarit të kenë të drejtën e një procesi të drejtë dhe të përdorimit të plotë të mjeteve juridike e viktimat të kenë të drejtë për njohje, të vërtetë dhe drejtësi.
“Çdoherë ka nevojë për lidership politik, moral, social, i cili thërret që ky proces të bëhet me maturi e qetësi. Emocionet janë krejtësisht të arsyeshme e kuptueshme...Por, çfarë nevojitet është të merret me qetësinë me të cilën do respektuar dinjitetin e të akuzuarve, dhe të viktimave dhe të drejtat e tyre. Njëra e drejtë nuk e mohon të drejtën tjetër...mendoj se prijësit e partive politike, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësi historike. Nuk janë zgjedhur vetëm për momente të lehta, por janë zgjedhur edhe për momente të vështira. Si ky është moment historik, në këtë moment historik duhet ta japim provimin. Nuk e japim provimin duke u ndeshur me njëri-tjetrin, por duke krijuar pika të unitetit me njëri-tjetrin”, tha Surroi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka treguar se si në Konferencën e Rambujesë kishte qenë po ashtu e vështirë të arrihet unitetit, por u arrit. E po ashtu ka përmendur edhe Vjenën, që tha se procesi ishte më i lehtë pasi negociatat u mbajtën në kushte të paqes.
Surroi ka thënë se duhet miratohet ajo rezolutë në Kuvend, pasi UÇK-ja është liruar juridikisht, atëherë pse duhet fajësuar politikisht.
“Nëse UÇK-ja nuk është dënuar juridikisht, pse duhet fajësuar politikisht ajo...Për një vrasje, një ndalesë arbitrare apo akt të torturës, krime të luftës, nuk mund të akuzohet tërësia. Tërësia është e qartë. UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë. E kjo luftë ishte e drejtë, ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për t’u çliruar nga okupimi i Serbisë e për të arritur pavarësinë. Këta individë të akuzuar, janë pjesë e historisë për të arritur këtë dhe dënimi si i tillë nuk ua mohon rolin e vetë historik që kanë pasur në drejtimin e UÇK-së, në luftën e drejtë të UÇK-së dhe në arritjen e pavarësisë. Nuk ekziston perfeksion njerëzor. Perfeksioni, pagabueshmëria, janë elemente religjioze. Nuk ekziston luftë e pagabueshme, luftë e pastër, ekziston luftë e drejtë. Por, brenda asaj lufte të drejtë ekzistojnë edhe veprime që dënohen me Konventat e Ligjeve të Luftës”, tha Surroi.
Surroi: Dy fakte historike s’ndërrohen, UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe është faktor i Pavarësisë së Kosovës
Publicisti Veton Surroi ka thënë se duhet përbashkuar forcat politike, përfshirë ato të pushtetit dhe të opozitës dhe të përcaktohet te debati politik që aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë nuk e akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë ndonjë implikim as në Pavarësinë e Kosovës.
Surroi në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se pas këtij përbashkimi, aktgjykimin do të duhej trajtuar në tërësi, si në aspektin e personalizimit të krimeve, ashtu edhe në dinjitetin e tyre por edhe të të akuzuarve.
“Te debati politik duhet të ketë një përbashkim të forcave politike, të lidershipit të pushtetit dhe opozitës dhe të përcaktohet se ky aktgjykim qartazi nuk e akuzon UÇK-në dhe nuk mund të ketë implikime as për Pavarësinë e Kosovës. Asnjë aktgjykim nga cilado Gjykatë nuk mund të ndërrojë dy fakte historike – UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë dhe është njëri nga faktorët e pavarësisë së Kosovës dhe pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe për shkak të luftës së drejtë të UÇK-së. Nëse përbashkohen forcat politike rreth kësaj shkojmë te hapi tjetër dhe këtë aktgjykim duhet trajtuar në tërësinë e tij. Duhet trajtuar edhe nga aspekti i personalizimit të krimeve dhe nga aspekti i dinjitetit të të akuzuarve, edhe nga aspekti i dinjitetit të viktimave e kështu me radhë”, ka thënë Surroi.
Publicisti Surroi ka folur edhe për efektet që pritet të ketë publikimi i aktgjykimit nga Gjykata Speciale. Sipas tij një pjesë e tij pritet të përmbajë rrëfime për dhunë mes shqiptarëve – narracion që vazhdon edhe sot që nga viti 1997.
“Kemi një aktgjykim dhe duhet ta trajtojmë sepse ai aktgjykim në momentin që do të dalë ka së paku dy efekte; narracionin e vetë juridik dhe do të duhej të merrej një strukturë për të kuptuar se çka ka ndodhur brenda këtij gjykimi dhe e dyta është narracioni politik. Një pjesë e këtij rrëfimi që do të dalë nga aktgjykimi ose është paralajmëruar të dalë së paku nga aktgjykimi i kondenzuar çfarë na është ofruar, është fërkimi politik brenda shqiptarëve, brenda luftës, që ka nënkuptuar edhe përdorimin e dhunës mes shqiptarëve. Ky është narracion që vazhdon që nga viti 1997 deri më sot. Ky është një narracion që tash po e trashëgojnë gjeneratat e reja”, ka thënë Surroi.
Të mërkurën, Specialja shqiptoi dënim me burgim prej 81 vjetësh për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, e i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.