Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përplasje e ashpër në distancë e degës së PDK-së në Prishtinë me Ahmetin e Molliqajn

Akuzat e degës së PDK-së ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë janë shtuar, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

Zyrtarët e këtij subjekti kanë akuzuar drejtuesit e Komunës së Prishtinës për punësime, siç kanë thënë, të militantëve të Vetëvendosjes, raporton KTV.

Bujar Cakolli nga ky subjekt, ka thënë se punësimi i 486 militantëve i ka kushtuar buxhetit rreth 2.3 milionë euro.

Por, këtyre akuzave të PDK-së, u është përgjigjur kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai i ka quajtur shpifje dhe për këtë ka thënë se do të bëjnë padi ndaj tyre javën e ardhshme.

“Vetëvendosje është subjekti më i madh në Kosovë, me 32 deputetë, dhe ka dalë e para në 10 komuna. PDK-ja, Veseli dhe Thaçi duhet ta kuptojnë që me rrena e shpifje nuk mund ta ndërrojnë rezultatin. Këto shpifje po i bëjnë përmes njerëzve të panjohur, që të mbrohen nga paditë. Por, kësaj radhe paditë do të jenë edhe për PDK-në, edhe për zyrtarin e partisë”, ka thënë Ahmeti.

Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Cakolli, ka akuzuar Dardan Molliqajn edhe si udhëheqës të sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka quajtur Molliqajn kriminel, paramilitar dhe udhëheqës të bandës.

Edhe Në padinë e PDK-së për udhëheqjen e Prishtinës është përfshirë edhe Molliqaj Arbëri Në padinë e PDK-së për udhëheqjen e Prishtinës është përfshirë edhe Molliqaj

Ndërsa, Dardan Molliqaj, në një reagim në “Facebook”, akuzat e PDK-së i ka quajtur shpifje, pasi, sipas tij, zyrtarët e PDK-së tashmë e kanë kuptuar se do të mbesin në opozitë.

“Ata duhet ta kuptojnë që opozita nuk bëhet me shpifje. Ata duhet ta kuptojnë që kriminelët e tyre nuk do të mund t’i ikin drejtësisë nën qeverisjen e Vetëvendosjes. Me shpifje ata po e shfaqin panikun e tyre. Ndërsa, neve po na forcojnë bindjen që jemi në rrugë të drejtë”.

PDK-ja në vazhdimësi ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit në kryeqytet.