Për shkak të mospajtimeve mes pozitës dhe opozitës, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Anëtarët e komisionit nuk u pajtuan për paragrafin 2 të nenit 2 të projektligjit, ku flitet për objektivin kryesor të Bordit të Paqes. Kësisoj, u vendos për formimin e një grupi punues për të modifikuar këtë nen.
Kryetarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi nevojën e formimit të këtij grupi punues, siç tha, për të riformuluar atë paragraf, pasi duhet të dihet se bëhet fjalë për rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas saj, kjo nuk do të thotë se janë kundër marrëveshjes, as nuk po ia humbin meritat ish-presidentes Vjosa Osmani për angazhimin e saj, mirëpo duhet të sqarohen të gjitha dispozitat e marrëveshjes. Madje, sipas saj, duhet parë edhe nëse është në përputhje me ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
“Marrëveshja ndërkombëtare është procedurë në Kuvend, sponsor i kësaj marrëveshjeje është ish-presidentja e Kosovës dhe askush nuk po e mohon këtë fakt. Ajo ka nënshkruar dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Jemi në rregull deri te kjo pjesë dhe marrëveshjen që na është dërguar në Kuvend. Mos të nisemi prej asaj që ne duhet të trajtojmë projektligjin vetëm nëse ai është voluminoz dhe nëse i paska katër nene s’kemi punë aty. Unë mendoj se shumë problematik mund të jetë ky projektligj me kaq pak përmbajtje sesa një projektligj i cili mund të ketë disa nene të caktuara. I ka vetëm katër nene, por është vetëm një paragraf domethënës në këtë projektligj me katër nene që mund të themi ka dhjetë fjali në total. Por fjalia e nenit dy, paragrafit dy, është problematike dhe nëse vazhdon të mbetet në projektligj pa u përmirësuar. Unë mendoj se në formulim ka probleme projektligji... Ne duhet të dimë cilën qeverisje po e rivendosim aty? Cilat konflikte po i referohemi? Aktualisht ka shumë konflikte në botë”, tha ajo.
Asaj i reagoi anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, deputeti Lutfi Haziri. Sipas tij, për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes ka pasur dallime mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish-presidentes Vjosa Osmani.
“Ne e dimë që ka pasur dallime mes kryeministrit dhe ish-presidentes për këtë çështje”, tha ai.
Mirëpo, sipas Kryeziut, insistimi për të sqaruar paragrafin dy të nenit dy të projektligjit nuk ka të bëjë aspak me këtë.
“Kjo nuk ka të bëjë asgjë me atë që potencialisht mund të diskutojmë këtu në kuptimin e asaj që po e thoni ju dhe mund ta thonë edhe të tjerët nga opozita”, tha ajo.
Në debat u përfshi edhe deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, i cili theksoi nevojën e miratimit të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare në komision. Sipas tij, ky është një bord që tejkalon përmasat evropiane.
“Ka projektligje që nuk është e domosdoshme të jenë në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian... Pasojat e vonesave nuk janë tonat, janë të institucioneve për shkak të raporteve që kanë pasur... Ky është një bord që tejkalon përmasat evropiane dhe baza për t’u krijuar si i tillë ka të bëjë me një rajon që është jashtë Evropës”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kosova duhet të ndihet e privilegjuar që ka marrë ftesë për anëtarësim në Bordin e Paqes.
“Ne duhet të ndihemi të privilegjuar që kemi marrë pjesë në Bordin e Paqes”, theksoi ajo.
Komisioni vendosi që grupi punues të mblidhet javën e ardhshme për të harmonizuar dhe dakorduar projektligjin. Kosova ka marrë ftesë për anëtarësim në Bordin e Paqes më 22 janar të vitit 2026.