Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar nga Qeveria që të mos jetë “bllokuese” në investimet e kryeqytetit, por mbështetëse dhe bashkëpunuese.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama ka thënë se për kryeqytetin, buxheti është i limituar. Ai ka thënë se projektet e mëdha në Prishtinë kanë kosto të lartë dhe për këtë ka kërkuar partneritet publiko-privat.
“E dini që buxheti është i limituar për kryeqytetin, pra kemi një numër të madh të kërkesave të qytetarëve për shërbimet ndaj qytetit por kemi edhe mundësi të tjera. Kryeqyteti për fat të mirë ka edhe mundësi të tjera për të krijuar bashkinvestime me investitorët. Në janar kemi prezantuar projektet kyçe që i duhen kryeqytetit, si krijime të parkingjeve nëntokësore, Stacioni i Autobusëve, krijimin e Qendrës për Arte dhe Teknologji, Tregun e Vjetër, Unaza e Kryeqytetit, Fshati Olimpik. Këto janë projekte të mëdha multi-milionëshe dhe për këtë arsye neve na duhet një partneritet me sektorin privat”, ka thënë Rama për EO.
Rama ka potencuar se ka interesim prej investitorëve të huaj në kryeqytet për të investuar me projekt-propozime. Ai kërkon që niveli qendror të mos jetë bllokues, por të jenë bashkëpunues për të mirën e qytetarëve.
“Kemi interes prej investitorëve seriozë nga Zvicra dhe vende të ndryshme, por edhe investitor vendës për projekte madhore të cilat janë të gatshëm me investu me projekt-propozime. Është një moment monumental për kryeqytetin për transformimin e mirëfilltë të kryeqytetit. Niveli qendror vetëm të mos jenë bllokues aq kërkojmë nga prej tyre, të jenë bashkëpunues sepse kjo është për të mirën edhe të nivelit lokal dhe atë qendror, pra për vendin tonë. Nuk bëjmë ndarje këtu niveli qendror dhe lokal duhet të jetë bashkë pranë të gjitha këtyre projekteve e dini që niveli qendror nuk e ka parë të arsyeshme me i investuar në Unazën e Kryeqytetit, ka investuar diku tjetër”, kërkoi ai.
Sipas tij, Prishtina duhet të trajtohet më mirë, “50 për qind të taksave të gjithë vendit paguhen prej bizneseve edhe qytetarëve të kryeqytetit”.
“Mendoj që është kyçe, jetike për kryeqytetin për me pasur investime në kryeqytet sepse kryeqyteti është motori kryesor për zhvillimin e krejt vendit. 50 për qind të taksave të gjithë vendit paguhen prej bizneseve edhe qytetarëve të kryeqytetit, për këtë arsye edhe kryeqyteti duhet të trajtohet në një mënyrë tjetër jo ashtu siç trajtohet për momentin për fat të keq, pra dytësor apo tretësor nga Qeveria”, shtoi kryetari.
Rama ka kërkuar nga Qeveria që të reflektojë dhe t’i bashkëngjitet këtij zhvillimi transformues në kryeqytet.
“E lus Qeverinë që të reflektojë dhe ti bashkëngjitet këtij zhvillimi transformues që po ndodh në kryeqytet i cili normal që ka mundësi që më vonë të shpërndahet në të gjithë vendin. Patjetër që duhet më shumë buxhet, nëse kryeqyteti i jep 50 për qind niveli qendror atëherë niveli qendror gjithsesi se duhet të jap më shumë kryeqytetit. Po shohim se ka interes nga investitorët vendor por edhe ata të jashtëm për projektet kyçe dhe strategjike të cilët do të transformojnë dhe do të na bënë gati për të ardhmen, sidomos për Lojëra Mesdhetare 2030”, shtoi Rama, teksa konfirmoi kandidaturën edhe për një mandat në krye të kryeqytetit. “Patjetër që po, kam thënë që më duhen dy terme për me transformuar Prishtinën, gjithsesi do të jem edhe në një mandat katërvjeçar në kryeqytet”.