Arbëri

Përmbytje në Kosovë, pritet situatë më e vështirë në ditët e ardhshme

Vershime ne Peje

Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj, kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Ndërsa nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore, ka shtuar tutje IHK-ja duke shtuar se këto përmbytje mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Instituti ka paralajmëruar vërshime edhe gjatë ditëve në vijim me reshjet që po vazhdojnë.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, njoftoi IHMK.

Në komunën e Pejës janë shkaktuar vërshime. Nga vërshimet është përfshirë rruga “Bill Clinton” në qytetin e Pejës, ku disa lokale afër rrugës rrezikohen që të përmbyten.

Në këtë qytet, shiu ka depërtuar edhe brenda shkollës ekonomike “Ali Hadri”, raporton "KosovaPress".