Reshjet e shiut gjatë ditës së sotme kanë rënduar gjendjen e disa rrugëve edhe në qytetin e Pejës dhe kanë përmbytur hapësira biznesore e toka bujqësore. Zona më e vështirësuar në qytet është ajo afër shkollës ekonomike “Ali Hadri”. Qytetarë të kësaj komune janë ankuar për dëme materiale që u shkaktohen sa herë ka vërshime.
Kanë shkaktuar përmbytje edhe në Pejë reshjet e mëdha të shiut, që kanë përfshirë Kosovën dhe rajonin.
Pas vërshimeve, rrugët në qytet janë mbuluar me ujë, ndërsa janë përmbytur edhe hapësirat përdhese të lokaleve afariste.
Qytetarët thonë se kjo nuk është hera e parë që pësojnë dëme pas vërshimeve.
“Këtë vit e treta herë që po më bën dëme, tash më së paku 50.000 euro më ka bërë dëm, do të thotë magazinat e krejt janë ndër ujë. Gjithçka si pijet, si ushqimet, më ka bërë dëm, se magazinat janë magazina që e mbajnë ushqimin, i mbajnë të gjitha”, ka thënë Shpend Lajqi, pronar i një restoranti.
“Kjo që po shihet është tmerr”, ka deklaruar qytetari Bashkim Gashi.
Në Komunën e Pejës thonë se rreth 6 ekipe janë aktivizuar në terren dhe se gjatë ditës nuk ka pasur nevojë për të ndërmarrë ndonjë aksion evakuimi.
“Situata në krejt territorin e Pejës është nën kontroll, po mendoj për të mos pasur ndonjë dëm ose evokim të familjes, ashtu është nën kontroll, se kështu rrjedhja që po shkon nëpër pjesë të rrugës ose livadhe, ato janë që ne s’mundemi t’i ndalim”, ka deklaruar Fadil Zekaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.
Krahas rrugëve e bizneseve, reshjet kanë dëmtuar edhe tokat bujqësore në disa fshatra të Pejës, si në Kliçinë e Leshan.