Nuk i janë ndalur telefonatat gjatë tërë ditës.
Ismail Ismaili, profesor i gjuhës frënge dhe përkthyes, u është përgjigjur të gjitha thirrjeve nga gazetarët që interesoheshin për përkthimin e raportit nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore, për rastin e Astrit Deharit, raporton KTV.
Kjo shkaku i shumë kritikave, kryesisht në rrjete sociale, për disa pjesë të raportit, por Ismaili ka bërë publik edhe një detaj tjetër të rëndësishëm.
Faqja e konkluzioneve, sipas tij, nuk i ishte dhënë nga Prokuroria në Prizren kur ia kishin dhënë raportin për përkthim. Ajo kishte mbërritur vetëm pak minuta para se t’i dorëzohej familjes Dehari.
Edhe vetë Ismaili e pranon se cilësia e përkthimit nuk ka qenë më e mira, por e arsyeton një gjë të tillë me volumin e raportit dhe presionin e kohës.
Prokuroria Themelore e Prizrenit, përmes një komunikate për media, i ka konsideruar si të pavërteta pretendimet e përkthyesit Ismaili.
“Faqja e parafundit nr.13, përmban konkluzione me nënshkrimin e dy autorëve, ndërsa faqja e fundit nr.14, përmban konkluzione nga dy raportet e nënshkruara nga tre autorë dhe ne besojmë se përkthyesi është vënë në lajthitje, nga faqja e 13 duke menduar se aty përfundon raporti. Ndërsa, edhe vetë përkthyesi ka theksuar se ka pranuar raportin prej 14 faqesh”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Me t’u vërejtur që mungon faqja e fundit, sipas Prokurorisë, atij i është kërkuar ta përkthejë për t’ia dorëzuar familjes dhe për një gjë të tillë posedojnë edhe dëshmi, të cilat megjithatë nuk i kanë bërë tani publike.
Gjatë ditës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përsëritur thirrjet për një hetim të pavarur për aktivistin e ndjerë të partisë së tij.
Përtej kësaj, Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka kërkuar zgjerim të hetimeve në drejtim të zyrtarëve që nxituan ta kualifikojnë rastin si vetëvrasje.
Sipas Rreze Hoxhës, hulumtuese, duhet të përcaktohet edhe përgjegjësia shtetërore në këtë rast.
Raporti i Institutit Zviceran për Mjekësi Ligjore, për përfshirjen e të cilit kishte insistuar me ngulm familja Dehari, të enjten u është dorëzuar atyre nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
I njëjti konstatonte se versioni i Prokurorisë për vetëvrasje të Astrit Deharit, dukej pak i besueshëm dhe se mundësia që autoritetet kosovare thanë se Dehari u vetëvra me një shishe mjalti, nuk ishte e mundur.