Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përjashtohen tre ekzaminerë, Durmishi: Keqpërdorime të mëdha me patentë shoferë

Autoshkolla

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, ka njoftuar se ua ka shkëputur kontratat e punës tre ekzaminerëve të angazhuar për patentë shoferë, pas dyshimeve për keqpërdorim.

Ai ka shkruar në Facebook se keqpërdorimet ishin në mëdha në vendin e punës, duke paralajmëruar se “do të prezantojmë të gjitha gjetjet që lidhen me keqpërdorime shumë të mëdha”.

“Sot kam nxjerrë vendim për shkëputje të marrëdhënies së punës për tre ekzaminerë të angazhuar në departamentin për patentë shofer. Këtë veprim e kam bërë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës. Ditëve në vazhdim do të prezantojmë të gjitha të gjeturat që lidhen me keqpërdorime shumë të mëdha në njësitë për patentë shofer gjithandej Kosovës”, është shprehur Durmishi.

Ditë më parë, Policia e Kosovës i ka arrestuar tre zyrtarë të një klinike mjekësore në Prizren, me dyshimin se kanë lëshuar certifikata false për kandidatët që paraqesin provimin për patentë shoferë.