Rreth katër orë ka zgjatur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka përfunduar para pak çastesh.
Vetëm hapja e saj ka qenë e hapur për media. Megjithatë mbledhja ka shkuar pa tensione.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHydejat Hyseni, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes i ka thënë gazetares së KTV-së që po përcjell ngjarjen se Këshilli ka vendosur që të shpallen zgjedhjet për kryetar të partisë.
“U vendos që të shpallen zgjedhjet për kryetar, obligim ky i cili ka qenë edhe me Statut, pasi Visar Ymerit i përfundon mandati në muajin shkurt”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka treguar se në mbledhje gjithashtu është diskutuar edhe për koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje në kuadër të zgjedhjeve lokale të nëntorit.
“Mbledhja shkoi në frymë demokratike dhe pa asnjë problem serioz”, ka thënë Hyseni.
Hyseni tha se mospajtimet që kanë plasur nuk do të thotë që kjo parti është e ndarë.
Kështu e ka shprehur bindjen edhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, deputeti Ismajl Kurteshi. Ai ka thënë se Vetëvendosje është më unike se kurrë. Kurteshi ka treguar se të gjithë delegatët kanë votuar pro zgjedhjeve.
“Zgjedhjet do të mbahen kah fundi i muajit shkurt”, ka thënë Kurteshi.
Hydajet Hyseni e ka cilësuar të rregullt mbledhjen e sotme, në të cilën kryetari i partisë, Visar Ymeri nuk ka marrë pjesë duke e cilësuar si të ngutshme dhe jo si mënyrën e duhur për ta zgjidhur problemin që ka plasur në parti.
Në mbledhje ka munguar deputeti Albin Kurti, i cili po mbahet në paraburgim për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por ai i cili pritet që të kthehet në krye të Vetëvendosjes, i është drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm me një letër nga burgu.
Ky është njoftimi zyrtar nga Vetëvendosje:
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbledhjen e XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm. Kryesuesi i këtij Këshilli, Hydajet Hyseni, i përshëndeti të burgosurit politikë: Albin Kurtin e Donika Kadajn e po ashtu Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Frashër Krasniqin dhe të dënuarën Adea Batusha.
Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku në fjalën e saj drejtuar delegatëve të Këshillit dhe tha se ‘kjo nuk është mbledhje e jashtëzakonshme, e parakohshme apo e njëanshme. Është e zakonshme dhe e paraparë me statut’. Kollçaku i përshëndeti si suksese të muajve të fundit edhe tri fitoret e komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Dardanës.
Ndërkaq, delegatëve të Këshillit, deputeti Albin Kurti i është drejtuar me një letër të cilën e lexoi delegati Arben Vitia. ‘Kemi rrethanë shumë të volitshme për ta rrëzuar qeverinë sepse opozita është me e madhe se pozita dhe VETËVENDOSJE! është partia më e madhe. Ky shansi yni është shpresa e popullit’, thotë Kurti në këtë letër nga burgu.
Në këtë mbledhje u vendos me votim unanim për zgjedhjet e reja të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, afati i të cilave do të caktohet nga Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i Lëvizjes.
Po ashtu, në këtë mbledhje u votua edhe për koalicionet zgjedhore lokalë, në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e re, në Prizren me Nismën për Kosovën, në Klinë me AAK dhe në Vushtrri me Lidhjen Demokratike të Kosovës.