Ditë të demokracisë e ka quajtur kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, procesin zgjedhor të partisë, që u mbajt gjatë ditës. Kurti theksoi se zëri i secilit anëtar do të dëgjohet. Ndërkaq për të realizuar procesin zgjedhor Lëvizja Vetëvendosje shfrytëzoi mbi 100 objekte shkollore, për të cilat ka thënë se i ka përdorur për t’ua lehtësuar procesin e votimit anëtarëve të partisë.
Që nga ora 10:00 e mëngjesit u hapën qendrat e votimit për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, për t’i zgjedhur strukturat e reja të partisë.
Për ta hedhur votën në kutinë e votim, herët doli edhe kryetari aktual dhe kandidati i vetëm për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili votoi në ambientet e shkollës fillore “Gjergj Fishta” në kryeqytet.
Ditë të demokracisë e quajti Kurti procesin e brendshëm zgjedhor të VV-së. Ai theksoi se zëri i secilit anëtar do të dëgjohet
“Lëvizja jonë e gjerë ka nevojë për më shumë strukturim, andaj edhe i kemi këto strukturat e reja, dhe si lëvizje e gjerë duke pasur këso struktura të reja, synojmë që në kuadër të drejtimit tonë progresist ta bëjmë një organizatë edhe më të fuqishme”, ka thënë Kurti.
Edhe pse është vetëm një kandidat për kryetar, procesin e ka vlerësuar si demokratik anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se “kandidimi i dikujt vetëm sa për sy e faqe, nuk i shërben demokracisë, por përkundrazi e dëmton seriozisht atë”.
Edhe pse nuk kanë pasur shumë opsione për të zgjedhur, aktivistët e VV-së presin që këto zgjedhje do t’iu sjellin risi në përbërjen e strukturave të partisë.
"Në zgjedhjet e brendshme unë pres një përforcim të punës së Vetëvendosjes, në përforcim të asaj të cilën kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka filluar dhe besoj se do t'ia dalë në të gjitha fushat që ai veç se ka filluar ta zbatojë punën të cilën e kemi ëndërruar të gjithë së bashku me dekada”, ka thënë Nedime Dauti-Belegu, aktiviste.
“Mua për vete nuk po më duket e rëndësishme, si çdo kund që ka ndryshime, favorite, por mua s'më le përshtypje. Mua më lë përshtypje Albini”, ka thënë Advije Morina, aktiviste.
Në 46 qendra të Lëvizjes janë mbajtur zgjedhjet, ku për këtë proces janë shfrytëzuar mbi 100 objekte të institucioneve të arsimit parauniversitar. Në Vetëvendosje kanë thënë se kanë marrë leje në Ministri dhe në Drejtori të Arsimit për shfrytëzimin e tyre.
“Lëvizja si organizata politike më e madhe në vend ka një numër të madh anëtarësh dhe e shtrirë gjerësisht nëpër Kosovë, kësisoj për të lehtësuar procesin e votimit ne kemi marrë leje që të zhvillojmë procesin e brendshëm zgjedhor nëpër shkollat e lagjeve dhe fshatrave ku ka qenë e nevojshme”, ka thënë Arlind Manxhuka, zëdhënës për media në LVV.
se është themeluar si parti Lëvizja Vetëvendosje vetëm në një mandat nuk është udhëhequr nga Albin Kurti. Nga viti 2015 për tre vjet këtë parti e udhëhoqi Visar Ymeri.