Njohësi i raporteve të Spanjës me vendet e Ballkanit, Alejandro Esteso Perez, ka thënë se vendimi i Spanjës për t’i njohur pasaportat e Kosovës erdhi befasishëm.
Perez në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se autoritetet spanjolle nuk kanë dalë me qëndrime publike në lidhje me këtë vendim dhe se vendimi u kuptua fillimisht nga Zyra Evropianie e Migrimit dhe Çështjeve të Brendshme.
“E dimë të gjithë se nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, Spanja ka qenë më e vështira të thyhej kur flasim për pavarësinë e Kosovës. Dhe vendimi për njohjen e pasaportave erdhi si një befasi duke marrë parasysh historinë që Madridi kishte viza-vij Kosovës, dhe këtu jo vetëm për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, por, po ashtu, edhe të simboleve të tjera, dhe njëra nga këto shenja ishte edhe çështja e pasaportave. Sërish po them, lajmi që erdhi befas disa ditë më parë mbetet ende lajm i fundit. Ende ka nevojë për informata të reja për këtë çështje. Sidoqoftë, këto janë lajme të mira. Të mira për gjithë ata që kanë pasaporta të Kosovës që kishin pritur gjatë për të hyrë lirshëm në zonën Shengen pa nevojë të vizave dhe në krye të saj, fakti që Spanja është njëra nga vendet që më në fund hap kufijtë dhe njeh këto pasaporta e bën veçse më të mira këtë lajm. Po vijmë nga një situatë kur e kishim Madridin tejet hezitues për ekzistencën e Kosovës, dhe ky është lajm i mirë për të gjithë. Është, po ashtu, e vërtetë se autoritetet spanjolle nuk kanë dalë me qëndrime publike”, ka thënë Perez.
Ai ka theskuar se brenda opinionit publik nuk është një vendim shumë popullor.
Perez ka thënë se nuk beson se në këtë rast ka pasur ndikim Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
“Ne po flasim në këtë rast për spekulime dhe këtë po e dëgjoj për herë të parë. E kuptoj logjikën që një person si Joseph Borrell që është i afërt me kryeministrin e Spanjës dhe që ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar në të kaluarën mund të ketë një lloj ndikimi. Por unë besoj dhe dua të besoj se roli i tij si Përfaqësues i lartë i BE-së limitohet aty dhe në kompetencat që ka. Për të qenë i sinqertë me ju, ne e dimë se në takimet e muajve të fundit në Bruksel mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, Borrell bashkë me Miroslav Lajçakun janë akuzuar dhe kritikuar për anim dhe pozicion të butë ndaj Serbisë. Brenda këtij spekulimi për mua do të ishte shumë e befasishme që Borrelli të ketë luajtur ndonjë rol, por nganjëherë ndikimi politik matet në forma të ndryshme”, ka thënë Perez.