Ministria e Jashtme e Spanjës është deklaruar rreth njohjes së pasaportave të Kosovës.
Nga MPJ-ja spanjolle kanë thënë të hënën se kosovarët do të përballeshin me probleme që ta vizitonin ligjërisht çdo vend të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, për këtë arsye edhe Spanja si çdo shtet tjetër i Schengenit e ka pranuar përdorimin e pasaportave kosovare.
Në reagimin e Spanjës thuhet se pranimi i pasaportave nuk nënkupton njohjen e Kosovës.
“Të gjitha shtetet e (Zonës) Schengen që nuk e njohin (Kosovën) e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e MPJ-së së Spanjës, Elena Aljarilla Cortezon.
Në përgjigjen e MPJ-së së Spanjës më tej thuhet se ky vend e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, si mënyrë për zgjidhjen e problemit midis vendeve dhe “synon të minimizojë ndikimin e tij te qytetarët”.
Nga 1 janari i këtij viti, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Spanja është në mesin e pesë shteteve anëtarë të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ku përfshihen edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.
Vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës është mirëpritur nga kryediplomatja Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
LEXO EDHE: