Institucionet e Kosovës tash e tre vjet nuk kanë vënë në letër gjetjet për situatën lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Raportet për një gjë të tillë, Qeveria i ka hartuar pothuajse për çdo vit, nga 2014-a e deri më 2018. Derisa nga ekzekutivi nuk kanë përgjigje nëse do ta vazhdojnë mbikëqyrjen e tyre, shoqëria civile konsideron se ndërprerja e raporteve për gjendjen e marrëveshjeve të Brukselit është në dëm të Kosovës.
Tre vjet bëhen në qershor qëkur Qeveria e Kosovës ka mbikëqyrur për herë të fundit zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Raporti i fundit rreth arritjeve dhe sfidave në zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut me Serbinë mban datën 18 qershor 2018 dhe ka gjithsej 38 faqe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërprerja e praktikës së krijuar që nga viti 2014 është duke u konsideruar e dëmshme dhe pengesë për mbarëvajtjen e bisedimeve nga shoqëria civile.
Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se raportet e tilla duhet të bëhen sa më parë, për shkak të rëndësisë që kanë për përgatitjen e ekipit kosovar.
“Pa pasur në dispozicion të gjitha informacionit se çfarë po ndodh me marrëveshjet e kaluara atëherë je në pamundësi që të ngrit edhe çështjet të cilat i preokupojnë qytetarët lidhur me këto marrëveshje apo edhe çështjet të cilat prekin interesat nacional të Kosovës”, ka thënë Haxholli.
Mungesa e informacioneve për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara sipas Grupit për Studime Politike dhe Juridike, ndikon në mbikëqyrjen e procesit të dialogut.
“Kur kemi këso shkëputjesh në dokumente dhe nuk e dimë saktë për secilën marrëveshje ku ka mbërri ku ka ngecur besoj që është e dëmshme për shkak se çalojmë pastaj në bisedime dhe nuk jemi aq konciz e preciz kundrejt palës serbe kur ti vet si palë nuk e ke dijeninë, nuk e ke saktësinë objektive për secilën marrëveshje se ku po çalon e cili është problemi”, është shprehur Arbër Fetahu, hulumtues në GLSP.
Shumica prej raporteve të hartuara për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit mbajnë nënshkrimin e ish-zv. kryeministres e ish-ministres së dialogut, Edita Tahirit. Lidhur me ndikimin e këtyre raporteve, televizioni ka provuar të kontaktojë me Tahirin, por e njëjta nuk është përgjigjur.
Pyetjeve të televizionit lidhur me marrëveshjet e Brukselit dhe zbatimin e tyre në praktikë, tash e dy javë nuk u janë përgjigjur as Qeveria e Kosovës.