Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Haxholli: Qeveria Kurti, jotransparente për dialogun me Serbinë

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV të martën, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka treguar transparencë sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Sipas saj, transparencë nuk ka pasur as gjatë qeverive të kaluara dhe se arritjen e marrëveshjeve e kanë parë vetëm kur kanë përfunduar ato dhe janë publikuar në media apo nga ana e qeverisë, por sipas saj, tani transparenca po shkon duke u përkeqësuar.

“Shohim tani në këtë fazë të fundit që nuk ka fare transparencë sa i përket dialogut dhe as propozimeve të reja që janë dhënë, të gjitha që i kemi marrë do të thotë informacionet, janë kryesisht nga deklaratat nga partnerët ndërkombëtarë, deklaratat e pakta që i ka dhënë Qeveria e Kosovës. Edhe raporti gjithëpërfshirës që është publiku çdo vit, pra për gjendjen e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit nuk është publikuar më që nga qershori i vitit të kaluar. Pra, qershori i vitit 2021 ka qenë hera e fundit kur nga ana e qeverisë është bërë publike një raport që e përshkruan në çfarë gjendje janë të gjitha marrëveshjet e arritura. Pra, në këtë pikë ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur me të gjitha marrëveshjet e Brukselit, në çfarë stade të zbatimit janë ato”, tha Haxholli.