LAJMET E MBRËMJES

KDI: Dialogu teknik nuk po sjell rezultate, duhet të diskutohet marrëveshja finale

Dialogu teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka sjellë rezultate, deklarojnë nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Gjatë prezantimit të analizës “Dialogu Kosovë-Serbi: Një hap para, tre hapa mbrapa”, hulumtuesja e lartë e KDI-së, Violeta Haxholli, ka thënë se ka ngecje në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke e përfshirë edhe Udhërrëfyesin e energjisë që është nënshkruar më 21 qershor.

Mungesa e vullnetit të Serbisë për ta zbatuar këtë marrëveshje, si dhe rikthimi i temave si ato të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes e arritur në vitin 2011, sipas kësaj organizate, tregojnë se fokusi duhet të jetë tek marrëveshja përfundimtare.

“Çështja më urgjente që ne si Institut Demokratik i Kosovës e konsiderojmë është që palët t’u rikthehen diskutimeve për elementet e marrëveshjes finale, sepse vetëm arritja e një marrëveshjeje mund t’u japë zgjidhje edhe çështjeve të tjera teknike. Pra, deri tash e kemi parë që dialogu teknik nuk ka sjellë rezultatet e pritura dhe prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale”, tha Haxholli.

Ndërsa lidhur me targat ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive në komunikim me komunitetin serb në veri të vendit.

“Si institut ne mendojmë që krahas dialogut me Serbinë është shumë e rëndësishme që të ketë edhe një dialog të brendshëm me komunitetin serb në Kosovë. Pra, Qeveria aktuale e Kosovës duhet ta shtyjë përpara idenë e kamotshme për ta realizuar një dialog të brendshëm me komunitetin serb. Sidomos tash po shihet edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të Qeverisë që prekin këtë komunitet të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ky vakumi ekzistues mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe dhe po rritet ndikimi i Serbisë në këtë komunitet”, tha Haxholli.

Kjo organizatë ka kritikuar Qeverinë për mungesë transparence, pasi kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar fare para mediave kosovare lidhur me rrjedhën e bisedimeve të javës së kaluar me presidentin Vuçiq.