Regjisori i njohur Steven Spielberg ka zgjedhur projektin e tij të radhës: një film “western” të bazuar në romanin “The Heart in Winter”, të shkrimtarit Kevin Barry. Në kastin e aktorëve do të jenë Jessie Buckley, Cillian Murphy dhe Mark Rylance, ndërsa skenari do të përshtatet nga regjisori fitues i “Oscarit”, Paul Thomas Anderson, ka shkruar Deadline.
Filmi, që pritet të publikohet në vitin 2028, do të zhvillohet në perëndimin amerikan të fundit të shekullit XIX dhe do të tregojë historinë e dy të arratisurve, të lidhur nga dashuria, të cilët kërkojnë një vend ku mund të ndërtojnë jetën e tyre.
Për Spielbergun, ky është një projekt i veçantë, pasi prej vitesh ka shprehur dëshirën për të realizuar një film western. Ai thotë se bashkëpunimi me mikun e tij të vjetër, Paul Thomas Anderson, ishte një nga arsyet kryesore që e bindi të merrte përsipër këtë film.
“Për mua, emocionuese është mundësia për të punuar me mikun dhe kolegun tim të dashur, Paul Thomas Anderson, në një zhanër të tillë. Por, përtej ‘westernit’, është një histori që shumë shpejt u bë e rëndësishme për të dy dhe që menduam se mund ta realizonim së bashku”, u shpreh Spielberg.
Ky bashkëpunim shënon edhe një risi në karrierën e Andersonit, i cili për herë të parë do të shkruajë skenarin e një filmi që nuk do ta drejtojë vetë.
Spielberg zbuloi gjithashtu se ai dhe Anderson kanë diskutuar që prej janarit për realizimin e një filmi që zhvillohet në Amerikën e viteve 1800. Madje, për t’u përgatitur, kanë parë së bashku dhjetëra filma “western”, të gjithë të projektuar në formatin klasik 35 mm.
Regjisori ka thënë se Jessie Buckley dhe Cillian Murphy ishin zgjedhjet e tij të para për rolet kryesore dhe se nuk mund t’i imagjinonte këto personazhe me aktorë të tjerë.
“Historia flet për njerëz që refuzojnë të pranojnë një jetë më të vogël nga ajo që meritojnë, por që ndoshta është më shumë nga sa mund të përballojnë”, ka thënë Spielberg.
Ai ka shtuar se Buckley dhe Murphy ishin aktorët e parë që i kishin ardhur në mendje për këto role, edhe pse deri më tash nuk kanë luajtur kurrë së bashku në një film.
Xhirimet pritet të zhvillohen gjatë dimrit të vitit të ardhshëm. Filmi do të realizohet nga “Universal Pictures” dhe do të shpërndahet përmes “Focus Features”.
Spielberg hodhi poshtë edhe aludimet se ky mund të ishte filmi i tij i fundit, duke theksuar se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga kinemaja.
“Nëse do të doja të largohesha drejt perëndimit të diellit, do ta kisha bërë këtë me Indiana Jones and the Last Crusade, ku personazhet mund të largoheshin fjalë për fjalë drejt horizontit, ndërsa në ekran shfaqeshin titrat e fundit”, ka thënë ai.
Me këtë projekt, Spielberg synon të realizojë më në fund një nga dëshirat e tij të vjetra artistike, duke bashkuar disa prej emrave më të njohur të kinemasë bashkëkohore.