Komuna e Ferizajt në kohë të pandemisë, përveç të tjerash, është përballur edhe me kërkesa të organizatave joqeveritare dhe të qytetarëve, të cilat kanë kërkuar qasje në dokumente publike për projekte të caktuara. Zyrtarët komunalë kanë thënë se kërkesat për qasje kanë shënuar rritje në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë periudhës janar- shtator të këtij viti janë regjistruar gjithsejtë 60 kërkesa të tilla, që ndërlidhen kryesisht me zyrën e prokurimit, ndërkaq gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar ishin regjistruar rreth 35 kërkesa për qasje në dokumente publike.
Albion Sherifi, zyrtar për qasje në dokumente zyrtare në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Kohën se kërkesat zakonisht kanë të bëjnë për dokumente në Zyrën e prokurimit, por edhe në drejtori të ndryshme. Sipas tij, të gjithë të interesuarve i është lejuar qasja në dokumente publike, andaj qeverisja lokale ka treguar transparencë në secilën fushë karshi qytetarëve dhe shoqërisë civile.
“Qasja në dokumente publike ka qenë fokus i veçantë i organizatave të shoqërisë civile. Normalisht kësaj i kemi kontribuar edhe me një transparencë më të madhe duke publikuar edhe dokumente në Ueb-faqen e komunës dhe në platforma të tjera në mënyrë që sa më shumë të jenë publike dokumentet zyrtare. Gjatë kësaj periudhe të vitit kemi pasur 60 kërkesa për qasje në dokumente publike, kurse në krahasim me vitet e kaluar ky interesim ka qenë prej 35 deri në 40 kërkesa”, ka thënë Sherifi. Sipas tij, një numër i madh i kërkesave ka qenë për dokumente të prokurimit publik. “Në të gjitha kërkesat ka pasur lejim të qasjes, ndërkaq vështirësi ka pasur shkaku i reduktimit të stafit në kohë të pandemisë në raport me udhëzimet nga institucionet qendrore. Sidoqoftë të gjitha dokumentet janë dhënë në afate ligjore. Presim që deri në fundvit të shtohet ky numër duke e pasur se janë duke u kryer shumë punë në terren dhe presim interesim më të madh të shoqërisë civile dhe individëve për t’i parë më hollësisht zhvillimet e projekteve të caktuara”, ka shtuar Sherifi.