Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Për 16 vjet pa konkurs për zjarrfikës të rinj, mosha mesatare 48 vjeç

Shumica e zjarrfikësve në Brigadën e Prishtinës po hynë në një moshë kritike. Te 93 zjarrfikës, aty mosha mesatare është 48 vjeç, gjë që po konsiderohet si e shtyrë për të ofruar këtë shërbim, meqë intensiteti i punës kërkon fizik më të fortë.

“Sigurisht që kjo moshë është e shtyrë, sepse puna e zjarrfikësit është jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme. Kërkohet forcë prej momentit kur zjarrfikësit dalin prej brigadës e të mbërrijnë në vendin e ngjarjes dhe të kthehen në anën e kundërt në brigadë”, ka deklaruar Latif Zeka, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.

Zeka tregon se këtu asnjëherë nuk ka pasur punëtorë të rinj, meqë për më shumë se 16 vjet nuk është hapur asnjë konkurs, ani pse ka buxhet për 115 zjarrfikës ose 21 më shumë sa janë aktualisht. Por zjarrfikës të rinj nuk mund të angazhohen në mënyrë vetjake nga brigada shkaku i statusit të pazgjidhur. Ligjërisht mbesin pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa paguhen nga Komuna e Prishtinës.

“Çdo herë në çdo zbrazëti kur e kanë lëshuar zjarrfikësit ose kur kanë dalë në pension, ne e kemi bo kërkesën edhe në Komunë, edhe në Agjencinë e menaxhimit emergjent, ku ligjërisht vendimet i marrim prej aty. Por, asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim për shpallje të konkursit. Duhet të merren vesh mes vete edhe Komuna, edhe Agjencia për ta shpallur konkursin”, ka shtuar tutje Zeka.

As Agjencia për menaxhimin emergjent e as Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje se pse deri tash nuk është hapur ndonjë konkurs për zjarrfikës.

Deri në këtë periudhë të vitit, 93 punëtorët e Brigadës së Zjarrfikësve kanë intervenuar në 1 mijë e 478 raste të llojeve të ndryshme në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë.