Në Kosovë aktualisht janë vetëm 792 zjarrfikës, numër ky që po konsiderohet tejet i ulët. Problem po vlerësohet edhe mosha mesatare e tyre që është 47 vjeç.
Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit është paraparë që caktimi i numrit të tyre, mund të bëhet edhe sipas numrit të banorëve dhe atë për çdo 1500 banorë së paku një zjarrfikës profesional. Për t’u arritur numri i nevojshëm sipas rregullores duhet të punësohen edhe 400 zjarrfikës.
Përfaqësuesi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koçinaj, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se janë të vetëdijshëm që ky numër i zjarrfikësve është i pamjaftueshëm për të garantuar siguri për qytetarët, por që arsyetohet se edhe tek kapacitetet e zjarrfikësve ka ndikuar mosdefinimi i kompetencave me nivelin lokal.
“Numri total i zjarrfikësve shpëtues në nivel republike tani është rreth 800, me e thënë saktësisht shifrën e fundit të cilën e mora sot para një ore janë 792 zjarrfikës shpëtues në të gjithë komunat e Kosovës, që është numër i pamjaftueshëm. Gjithashtu e përmenda një standard ose normë e cila është e aplikueshme në vendet e zhvilluara që i bie një zjarrfikës në 1 mijë e 500 banorë, tek ne do të thoshin një numër goxha më i madh se ai që është sot, por sipas përllogaritjeve dhe vlerësimit të rrezikshmërisë në nivel vendi nga ky aspekt ne konsiderojmë se kapaciteti i zjarrfikësve minimumi i mungojnë edhe 400 zjarrfikës shpëtues profesional”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Latif Zeka, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, tha se përveç kryeqytetit ata mbulojnë edhe tri komuna të tjera, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, e të gjitha këto komuna mbulohen me vetëm 99 zjarrfikës.
Ai bëri të ditur se në këtë Brigadë janë 22 vende të lira për zjarrfikës, por që konkursi i fundit për pranim të zjarrfikësve të ri është hapur para 18 viteve.
Edhe
Kosova me qindra zjarrfikës mangët
“Është problem që nuk mund të pranojmë punëtorë të ri. Këtu i kemi 22 vende të lirë edhe ende nuk është hapur konkursi nuk po mund me u marr vesh ose me u dakordu mes Agjencionit të Menaxhimit të Emergjencave në kuadër Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe komunave se kush me e hap konkursin. Ky është një problem, këtë vit pesë kemi me shku në pension nuk është paraparë të pranohet asnjë punëtorë. Që 18 vite asnjë punëtorë i ri nuk ka ardhur tek ne…. Është një problem shumë i madh, pse po them është një problem i madh, vetëm Prishtina duhet t’i ketë 150 zjarrfikës”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Për më shumë ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, mbi statusin e zjarrfikësve në Kosovë.
-
Për një javë mbi 80 intervenime, rajoni i Prishtinës lufton zjarret me 97 zjarrfikës
-
Beka: Numri i vogël i zjarrfikësve rrezikon menaxhimin e situatës me zjarre
-
Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, Beka: Kërkesat e kahershme të paplotësuara
-
Mund të ketë qëllime për të fshehur gjurmë, kryesindikalisti i zjarrfikësve tregon shkaktarët e zjarreve në vend