Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka paralajmëruar rrënimin e 25 vilave në Stankaj të Komunës së Pejës.
Ai ka fajësuar prokurorinë e shtetit se nuk është marrë me këtë rast edhe pse ministria e kishte denoncuar një vit më parë.
“Para një viti kam bërë denoncim publik për njërin ndër rastet më abuzive në pronën shtetërorë, ndërtimin e 25 vilave në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë. Ne si ministri përkundër që i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga prokuroria e shtetit, ka thënë Peci.
Sipas Pecit, meqë prokuroria nuk është marrë me to, ai ka lëshuar këtë vendim për lirimin e të gjitha objekteve në prona që janë të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme, teksa u ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse që ta zbatojnë këtë.