Arbëri

PDK-ja mobilizohet për zgjedhje, zotohet për “resetim” të dialogut

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mobilizimin e strukturave të veta me kërkesën për zgjedhje sa më të shpejta në vend, teksa është zotuar se do të angazhohet për “resetim” të procesit të dialogut, për të cilin ka dalë me deklaratë politike duke kundërshtuar drafstatutin evropian për Asociacionin.

Kjo parti të shtunën ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues duke vendosur për mobilizim të strukturave. Kryetari i saj, Memli Krasniqi ka thënë se viti 2023 ishte i humbur për Kosovën në çdo aspekt duke akuzuar Qeverinë Kurti për pranimin e drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas PDK-së, përmban kompetenca të qarta ekzekutive.

“Rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështesë një propozim të tillë, që vjen si pasojë e gabimeve dhe paaftësisë së Kryeministrit dhe Qeverisë për të arritur qëllimet tona shtetërore në procesin e Dialogut. Ky proces nuk ka arritur që të prodhojë rezultate pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit dhe është karakterizuar me humbje të ambicies edhe nga partnerët ndërkombëtarë, gjë që ka rezultuar me Marrëveshjen e Ohrit që nuk adreson as për së afërmi kërkesat dhe qëllimet tona të përbashkëta. Në këtë kontekst, Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për resetim të procesit të Dialogut dhe beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ruan karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

PDK-ja ka dalë me deklaratë me shtatë pika nga kjo mbledhje. Në pikën e parë është thënë se Kosova po cenohet nga synimet hegjemoniste të Serbisë e se situata “po rëndohet edhe më shumë nga sjellja dhe veprimet e papërgjegjshme të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, si dhe nga paaftësia dhe keqqeverisja e ministrave të qeverisë së tij”.

“Ekonomia, shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe të gjithë sektorët tjerë janë në regres të vazhdueshëm dhe po dëmtohen çdo ditë. Kostoja e jetesës për qytetarët e Kosovës është bërë e papërballueshme, çka po shërben si arsye për rritjen enorme të numrit të tyre që po largohen nga Kosova. Kosova nën sanksione, vazhdon t’i ketë raportet e tensionuara me partnerët ndërkombëtarë, si pasojë e keqqeverisjes dhe papërgjegjësisë së Qeverisë. Rruga për anëtarësim në BE, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare, me këtë Qeveri dhe këta zyrtarë, është e pamundur”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

PDK-ja ka thënë se beson që “e vetmja mënyrë për të shpëtuar Kosovën dhe të arriturat historike me shumë mund dhe sakrificë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë, si dhe formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”.

Kjo parti ka vendosur që në Kuvend të votojë vetëm për vendimet që i ka cilësuar me rëndësi strategjike. Ka shtuar se për çdo vendim do të vlerësohet rast pas rasti. Ka shtuar se do të marrë pjesë në Kuvend “për të ngritur zërin dhe për të folur për rrezikimin që po i bëhet Kosovës nga kjo Qeveri e paaftë dhe e korruptuar edhe sipas raporteve kredibile ndërkombëtare”.

PDK-ja ka thënë se e ka analizuar me vëmendje drafstatutin e Asociacionit. Sipas kësaj partie, ai krijon nivel të ri të pushtetit. “Për PDK-në, është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe që krijon një nivel të ri të pushtetit në vendin tonë. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që prodhuan edhe këtë draft-statut, për PDK-në nuk janë as finale e as gjithëpërfshirëse. Marrëveshja e pranuar nuk përmban njohjen reciproke de-jure, prandaj për PDK-në është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë. PDK angazhohet dhe beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ruan karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Tutje PDK-ja ka paralajmëruar se do të nisë organizimin për zgjedhjet e përgjithshme, duke u zotuar “për t’i sjellë vendit, pas zgjedhjeve të ardhshme, një Qeveri kredibile, të përgjegjshme dhe e cila rikthen vendin në kursin e duhur të zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit euro-atlantik”. Zgjedhjet e brendshme të PDK-së do të mbahen menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

Kjo parti ka dalë me deklaratë edhe për situatën financiare të ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, në gjykimin për krime lufte nga Gjykata Speciale. PDK-ja ka kërkuar nga institucionet rol më proaktiv dhe ka bërë ftesë që të ndihmohen financiarisht të akuzuarit në Hagë, pak ditë pasi nga ekipi mbrojtës i Thaçit u tërhoqën disa avokatë që thanë se nuk janë paguar.

Në pikën e fundit të deklaratës, PDK-ja ka thënë se do të “përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës”.