Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: 2023-a, vit i humbur për Kosovën nga paaftësia e Qeverisë Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se viti 2023 ishte i humbur për Kosovën nga keqqeverisja dhe paaftësia e Qeverisë Kurti.

Në një takim me Kryesinë e partisë dhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve të martën, Krasniqi është shprehur se viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën, “i cili u karakterizua me degradim në arsim, kolaps në shëndetësi, stagnim ekonomik, shpopullim dhe migrim masiv, diplomaci të dështuar dhe me sanksione nga Bashkimi Evropian, si rezultat i keqqeverisjes dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti”.

“Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për draft-statutin e Asociacionit, ku u tha se ky draft krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive. Kryetari Krasniqi ripërsëriti qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, krijon një nivel të ri të pushtetit dhe ka kompetenca ekzekutive”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Krasniqi ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila, krahas punës për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, “rikthen vendin në kursin e duhur të integrimit euro-atlantik”.

“Kryesia dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për t’u angazhuar në mobilizimin e PDK-së në të gjithë vendin”, vijon njoftimi.