Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, pas mbledhjes së Kryesisë i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit të Speciales.
Sipas PDK-së, sot, institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë. Thekson se ky moment kërkon vendimmarrje në interes të shtetit dhe përmbushje të detyrimeve ndaj përpjekjeve të popullit për liri.
“PDK e ka iniciuar këtë ligj pas takimeve dhe konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, me bindjen se mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore. Ky ligj është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja ka theksuar se prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime.
“Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve. PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e këtij ligji. Pengesë nuk paraqet as opinioni i vetë Qeverisë. Nuk ka as arsye politike që ky proces të mbetet i papërfunduar: nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë”, ka deklaruar tutje PDK-ja.
Sipas kësaj partie, kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik apo të përdoret për kushtëzime partiake.
Edhe
Aleanca fton deputetët në Kuvend: Kosova na thërret
PDK-ja i ka vlerësuar të dhunshme veprimet e Policisë në protestën e së hënës.
“Gjithashtu, PDK dënon ashpër dhunën joproporcionale të ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve. Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm. PDK kërkon nga Qeveria, Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndalin menjëherë veprimet e tyre jashtë rolit dhe kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe të mos e nxisin apo përdorin Policinë për ta shtypur me dhunë protestën dhe kërkesën e drejtë të qytetarëve. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë përdorimin e forcës joproporcionale që mbrëmë ka lënë të lënduar shumë qytetarë. PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës të gjitha rastet e evidentuara, siç thonë ata, të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve.