Arbëri

Pas raportimeve të KOHËS, iniciohen masa ndaj disa zyrtarëve, përfshirë mjekun që kritikoi QKUK-në

Raportimet e KOHËS për gjendjen alarmante higjienike në klinikat e QKUK-së dhe për Raportin e Drejtorisë që përmban të dhëna të rreme, janë adresuar të mërkurën në një mbledhje urgjente të Bordit të SHSKUK-së. Në të janë iniciuar masa ndaj disa zyrtarëve, por edhe ndaj një anesteziologu që në prononcim për KOHËN kritikoi QKUK-në

Bordi i SHSKUK-së ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për t’i adresuar çështjet që brenda një jave i raportoi KTV-ja, e që kanë të bëjnë me rrugët e infeksioneve dhe me gënjeshtrat që përmban raporti 6-mujor i punës i Drejtorisë së këtij institucioni.

Në mbledhje, të cilën e përcolli ekipi i KOHËS, por pa të drejtë xhirimi, kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi, e pyeti drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së për gjendjen në Kliniken e Ortopedisë.

“Për pamjet skandaloze duam një veprim prej jush, që ta identifikoni fajtorin, që gjykoj se është menaxheri i kontratës për rregullimin e objektit në përputhje me kushtet e kontratës, por ju e vlerësoni kush. Por, masa duhet të shqiptohen”, ka deklaruar Bardiqi.

Pamjet e publikuara të shtunën në emisionin “Cosmo” të KTV-së tregojnë se gjendja në klinikë është skandaloze.

Në mbledhje, drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, konfirmoi se gjendja është e rëndë.

“Kemi kërkuar që të gjitha punët që janë nën garanci të rregullohen dhe të servisohen. Domethënë, të sillen në gjendje optimale apo si duhet, dhe të jenë sipas garancisë”, ka thënë Azizi.

Ndonëse gjendja është e rëndë në këtë klinikë, në mbledhjen e Bordit është kërkuar të merren masa ndaj anesteziologut Agron Bala për këtë deklaratë dhënë në KTV javën e kaluar.

“Salla katastrofë. Veç na kanë shti hajt qetu. Qe, kqyre. Asgjë të hairit nuk ka. Tu harru. Nxemje nuk ka. Ventilim nuk ka. Jena fut në salla. Pa lidhje veç... Larg normave ndërkombëtare. Larg Afrikës, se jo normave ndërkombëtare. Me shku në Afrikë i ke kushtet ma të mira tash, e ne qe në çfarë kushtesh jetojmë”, ka thënë Bala më 10 tetor për KOHËN.

E, kryesuesi Bardiqi ka thënë se çështja e objektit është dashur fillimisht të ngrihej brenda institucionit, në mënyrë që të tentohej të rregullohej.

“Qysh po e autorizoni të flasë dikë që po ju shan... Po, aty boll janë pamjet sharëse e ofenduese – të merituara. Ama anarkia që kushdo me dalë në media me fol për çështje zyrtare, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, është shprehur Bardiqi.

Drejtori Azizi ka thënë se doktori Bala nuk kishte autorizim për të folur.

Por në këto pamje dëshmohet që vetë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, ka kërkuar nga ai që të japë deklaratë për KTV-në.

“Agron, hajde jepe një intervistë, hajde”, dëgjohet t’i thotë Jashanica.

Siç ka mësuar KOHA, anesteziologu ndaj të cilit u kërkuan masa, do të pensionohet këtë të diel.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit u diskutua edhe në lidhje me raportin e punës të Drejtorisë së SHSKUK-së për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. KOHA raportoi se në këtë dokument u paraqitën si punë të kryera edhe ato që ende nuk kanë nisur.

“Kam kërkuar nga personi përgjegjës për draftimin e raporteve që të argumentojë se qysh ka ardhur në secilin përfundim, në mënyrë që të gjendet se ku janë arsyet që kanë ardhur në përfundimet që na i ka sjellë”, ka deklaruar, Elvir Azizi, drejtor i SHSKUK-së.

KOHA e ka parë një shkresë të Drejtorisë, me të cilën i kërkohet llogari zyrtarit Sali Bllaca për secilin rezultat të prezantuar në raport, e për të cilat KOHA ka gjetur se janë të rreme.