Arbëri

Pas Prishtinës, edhe komuna e Pejës ua mbyll dyert prej nesër qytetarëve pa maska e dorëza

Pas Prishtinës, edhe Komuna e Pejës ka shtuar edhe një masë për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Si preventivë të mundshme për parandalimin e infektimit po shpërndarjes së virusit COVID-19, Komuna e Pejës ka vendosur që prej ditës së martë, të ndalojë hyrjen e qytetarëve në gjitha objektet e administratës komunale nëse nuk bartin pajisje mbrojtëse.

“Nga nesër, me 7 prill, të gjithë qytetarët që vijnë në Administratën e Komunës së Pejës për të kërkuar shërbime, janë të detyruar të veshin pajisjet mbrojtëse, maska dhe doreza. Ata të cilët nuk i kanë pajisjet mbrojtëse, nuk do të lejohen të futen brenda. Kjo masë është rekomanduar nga organet që po merren me luftimin e COVID-19 dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të secilit”, tha zëdhënësi i kësaj komune, Engelbert Zefaj, duke ua bërë të qartë qytetarëve se pa pajisje mbrojtëse as të mos ia mësyjnë ndonjërit prej objekteve të komunës, se për ta dyert do të jenë të mbyllura.