Komuna e Prishtinës prej nesër nuk do të ofrojë asnjë shërbim për qytetarët që nuk janë të pajisur me maska dhe dorëz.
Në një njoftim të bërë nga Komuna e Prishtinës në Facebook, thuhet se kjo masë është marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, transmeton KOHA.
“Prej nesër, 7 Prill, si masë shtesë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së #covid29, kemi marrë vendim që qytetarët të cilët nuk janë të pajisur me maskë e dorëza nuk do të mund të marrin shërbime në Komunën e Prishtinës. Të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të tjerëve rreth nesh. Bashkë mund të tejkalojmë këtë sfidë më shpejtë dhe më lehtë! #rriNshpi #Prishtina”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ai tutje ka paralajmëruar se kanë marrë masa edhe për dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në Prishtinë.
-Obligohen të gjithë dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në Komunën e Prishtinës, që në baza të rregullta/vazhdimisht gjatë ditës të dezinfektojnë, të gjitha karrocat dhe shportat që shërbejnë për bartjen e produkteve ushqimore dhe të njëjtën duhet ta dëshmojnë me raporte përkatëse të kompanive të dezinfektimit .
-Obligohen të gjithë dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në Komunën e Prishtinës që të caktojnë një person përgjegjës i cili do të merret me respektimin e distancës së klientëve gjatë blerjes së produkteve ushqimore.
Sipas tij, bizneset të cilët veprojnë në kundërshtim me dispozitat e kësaj urdhërese do të gjobiten në bazë të legjislacionit në fuqi.