Nuk ka rend, distancë, kujdes, e mbi të gjitha nuk tregohet as vetëdije për të ruajtur veten dhe tjetrin. Një pamje para hyrjes së Administratës Komunale të Pejës, të hënën, i ka përmbledhur të gjitha këto për gati një orë, derisa nuk ka ndërhyrë policia të vendosë rend dhe zbatueshmëri të masave parandaluese për përhapjen e pandemisë.
Një pamje ndryshe prej asaj që shihej rrugëve të qytetit, ku qytetarët me bartjen e maskave të krijonin përshtypjen se në këtë komunë po tregohen të përgjegjshëm dhe po respektojnë masat mbrojtëse.
Por, në anën tjetër të lumit, dhjetëra qytetarë, që kishin shkuar për të kryer ndonjë shërbim administrativ, pritnin kokë më kokë për të hyrë brenda objektit të Administratës Komunale, pasi Komuna ka sjellë vendim që të mos krijohet tollovi në korridoret e objektit. Tollovinë e qytetarëve, duke mos mbajtur rend, distancë sociale e pakujdesinë për të ruajtur veten dhe të tjerët në këtë kohë të pandemisë, kur thirrjet janë të shumta që të respektohen masat, kanë shqetësuar e zemëruar drejtorin e Financave të kësaj komune, Jeton Abazaj, i cili i kupton njerëzit që kanë nevojë të kryejnë ndonjë shërbim në Komunë, por nuk e kupton pakujdesinë e qytetarëve, pasi Abazaj vetë ka qenë i sëmurë muajin e kaluar nga Covid-19.
“Unë personalisht e kam kaluar si sfidë pjesën e Covidit. Fatmirësisht që kam qenë në pjesën e njerëzve që e kanë kaluar jo shumë vështirë. Megjithatë duhet të kenë kujdes edhe në masat që i ka caktuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që të zbatohen. E unë këtu para Komunës sonë po e shoh që ende është vetëdija e ulët e njerëzve dhe kujtojnë që nuk ekziston virusi, e pastaj edhe zbatimi i masave nuk është duke u bërë si duhet. Për arsye se veç po shihet se veç vendet ku janë në mbikëqyrje ato zbatohen, në raste të tjera nuk zbatohen si duhet masat mbrojtëse”, u shpreh Abazaj, derisa prapa tij policia sa kishte ardhur për të vënë rendë.
Policia është shfaqur para Komunës, pasi punëtorët e sigurimit dhe inspektorët komunalë, pavarësisht tentativës, nuk arrinin të krijonin rend dhe distancë mes qytetarëve, prej të cilëve shumica bartnin maska. U deshtë inspektorët komunalë që të thërrasin policinë, e cila pasi arriti menjëherë krijoi rend. “Kjo rrëmujë, kjo guzhmë nuk i shërben aspak parandalimit të përhapjes së Covid-19. Ne i kemi udhëzuar që në korridore brenda objektit të mos ketë pritje. Pra një nga një të hyjnë. Por po shihet se edhe në hapësirat e jashtme nuk po mbahet rendi. Ndërhyrja e policisë ka bërë që të kemi një disiplinë më të madhe, pasi që vetë uniforma ndikon pozitivisht tek qytetarët”, tha drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.