Arbëri

Pas pesë vitesh nga iniciativa, sivjet pritet të përfundojë ndërtimi i Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm

Drejtoresha e Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se në nëntor të këtij viti pritet të përfundojë ndërtimi i Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm. Hajdini-Beqiri në “Express” të KTV-së shtoi se ndërtimi i këtij objekti është ëndërr e secilit prind dhe fëmijë që jeton në regjionin e Prishtinës.

“Ndërtimi i këtij objekti është ëndërr e secilit prind dhe fëmijë që jeton në regjionin e Prishtinës. Që nga viti 2015, ne si Shoqatë kemi marrë iniciativë për ndërtimin e kësaj qendre. Projektit tonë i është bashkuar Komuna e Prishtinës, kemi organizuar mbrëmje bamirësie, ku kemi mbledhur para për ndërtimin e këtij objekti. Por procedurat ligjore brenda Komunës, kanë bërë që ky projekt të mos ecën shpejt siç e kemi pritur. Një grup i vogël i asamblistëve dëshironin që të ndërtohej një qendër për të gjitha nevojat e njerëzve me aftësi të kufizuara”, tha Hajdini-Beqiri.

Ajo shtoi se punimet pritet të përfundojnë në nëntor të vitit 2021, derisa ka treguar edhe burimet financiare për ndërtimin e kësaj qendre.

“Deri në fund të muajit nëntor 2021 pritet të përfundojë. Pas shumë mundimeve, më në fund po përfundon një projekt me të cilin jemi ballafaquar me shumë sfida. Ndërtimi i qendrës do të bëhet nga 75 mijë eurot e mbledhura nga mbrëmja e bamirësisë, një pjesë do ta mbulojë Komuna, një pjesë nga Shoqata dhe një pjesë nga organizata joqeveritare ‘Tika’”, deklaroi më tej ajo.