Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Autikët në moshë madhore pa përkrahje nga shteti

Dita Nderkombetre e Autizmit

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, një numër aktivistësh marshuan në Prishtinë duke kërkuar nga Qeveria ta procedojë në Kuvend projektligjin për personat me aftësi të kufizuara, i cili parasheh mbështetje edhe për autikët. E prindër të personave autikë, që tash janë në moshë madhore, u ankuan për mungesë përkrahjeje nga shteti

Violeta Hyseni është mësuar të jetojë me ritmin e vajzës së saj, duke i dhënë siguri në një botë që shpesh nuk e kupton. 
Vajza është autike dhe, edhe pasi ka mbërritur moshën madhore, nuk ka siguruar mbështetje nga shteti.
Hyseni, e cila e drejton shoqatën “Autizmi flet”, thotë se ka raste kur dera e fundit për këta persona është Qendra Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime. Por, jo secilit i hapet kjo derë.

“Duhet që të pranohet një i rritur me aftësi të kufizuara, jo vetëm me autizëm, por edhe me aftësi të kufizuara të tjera. Domethënë, ai nuk ka familjarë, nuk ka motra e vëllezër, përveç prindërve që i ka humbur, nuk ka familje të ngushtë apo të gjerë që kujdesen për të, atëherë ai mund të vendoset në atë qendër, përndryshe ai gjithmonë do të jetë barrë e familjes”, ka thënë Hyseni.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, të enjten, një numër aktivistësh marshuan me moton “Miratoni ligjin, se autizmi nuk flet”.

Ata kërkuan nga Qeveria që ta procedojë në Kuvend Ligjin për statusin e personave me nevoja të veçanta.

Presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë mbështetje kërkesës.

“Ky ligj është i domosdoshëm në mënyrë që shteti të rrisë përkrahjen ndaj qytetarëve tanë. Në të njëjtën kohë jemi këtu për të rritur zërin për fëmijët tanë, për potencialin që e kanë, dhe ata të tjerët me nevoja të veçanta, sepse në fund të fundit asnjëri nuk jemi me aftësi të pakufizuara. Ata kanë talente, janë inteligjentë dhe, nëse shteti i përkrah, ai potencial pastaj do t’i rikthehet shoqërisë sonë”, ka thënë Osmani.

Mbështetje ka dhënë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Ne e përkrahim shtyrjen e këtij ligji përpara, pra të miratohet sa më parë që të jetë e mundur, sepse krijon mundësi shtesë se si të ndihmohet, nga niveli lokal po ashtu edhe ai qendror, këtyre organizatave, në fokus të familjeve që janë në nevoja të mëdha, sepse kanë probleme të mëdha sot me të cilat ballafaqohen, në mungesë të hapësirave që janë të nevojshme për persona me autizëm, sidomos ata që janë të rritur”, është shprehur Rama.

Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në komunikim, ndërveprim social dhe sjellje. 
Shumë nga këta persona kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë jetës nga të afërm, në mungesë të shërbimeve institucionale dhe programeve të përshtatshme për ta.