Arbëri

Pas paralajmërimit nga AIP-ja, KPK-ja ofron qasje në dokumente zyrtare

Peng i mospërfundimit të shqyrtimit të ankesave nga Këshilli i Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka mbetur plotësimi i një pozite në Këshillin Prokurorial të Kosovës, konkursi për të cilin ishte hapur në korrik të këtij viti. Për të mos ofruar qasje në dokumentet që lidhen me këtë proces, Këshilli Prokurorial pati paditur Agjencinë për Informim, por këtë muaj ai i është dorëzuar paralajmërimit të marrë pas ankesës së KOHËS.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është dorëzuar karshi ofrimit të dokumenteve zyrtare në procesin për zgjedhjen e Zyrtarit për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KOHA ka raportuar në tetor të këtij viti se si KPK-ja për të mos iu bindur kërkesës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për t`ua dhënë palëve ankuese dokumentet e kërkuara, pati ngritur padi ndaj AIP-së.

Por, qasja në këto dokumente pjesërisht i ishte ofruar KOHËS.

E pas ankesës për mosofrim të tyre në kopje fizike, AIP-ja ka kërkuar informacione shtesë në lidhje me mosofrimin e qasjes në dokumente publike.

“Në zbatim të nenit 18 të Ligjit Nr.06/L-081 për qasje në dokumente publike, institucioni publik, ndaj të cilit është paraqitur një kërkesë për qasje në dokumente publike, me rastin e vendimmarrjes, detyrohet të bëjë testin e dëmit dhe interesit publik, për t’u siguruar që interesi i mbrojtur mbisundon ndaj interesit publik. Me rastin e reflektimit të institucionit publik ndaj kësaj shkrese njoftuese të AIP-së, i njëjti duhet të deklarohet nëse është bërë testi i dëmit dhe interesit publik, i cili përbën detyrim ligjor”, thuhet nga Agjencia.

Ky institucion ka paralajmëruar Këshillin për pasojat, në rast të mosarsyetimit të nevojshëm për mosofrim të qasjes në dokumentet e kërkuara.

“Duke besuar që pas kësaj shkrese njoftuese, institucioni juaj do të reflektojë në raport me palën ankuese, ua kujtoj se në pajtim me nenin 33, paragrafi 3, të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, institucioni publik, i cili nuk përgjigjet fare në kërkesën për qasje në dokumente publike, ndëshkohet me gjobë prej një mijë (1,000) deri në tre mijë (3,000) €”, ka thënë AIP.

Rreth 20 ditë pas njoftimit nga Agjencia, Këshilli Prokurorial ka ofruar dokumentet e kërkuara në kopje fizike.

Epilogu i konkursit i hapur në korrik, për pozitën e Zyrtarit të Komunikimit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka mbetur peng i mos shqyrtimit të ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Nga kjo instancë kanë konfirmuar pranimin e një ankese në fund në muajin tetor, por nuk kanë pranuar të japin informacione në lidhje me shqyrtimin e saj.

“Duke pasur parasysh dispozitat e aplikuara të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe aktet e brendshme normative, ju njoftojmë se për aq kohë sa nuk i kemi pranuar fletëkthesat mbi bazën e të cilave konstatohet fakti se vendimin e Këshillit e kanë pranuar palët në procedurë, ne nuk mund të japim informata të tjera lidhur me çështjen në fjalë. Përndryshe, duke pasur parasysh faktin se vendimet e Këshillit janë publike, në momentin që pranojmë konfirmimin se palët në procedurë e kanë pranuar aktin në fjalë, ne mund t’ju japim informata lidhur më vendimin e Këshillit”, ka thënë KPMSHC.

Krahas dy pozitave për Zyrtar për Komunikim Publik, KPK-ja pati shpallur konkurs edhe për 45 pozita të tjera.