Arbëri

Pas marsit, BSPK-ja paralajmëron veprime sindikale

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka deklaruar se ‘ultimatumi’ i dhënë Qeverisë deri në muajin mars të 2022-s, është kohë për rregullimin e ligjit për paga. Ai deklaroi në KTV se Qeveria duhet takuar me federatat sindikale, në mënyrë që ligji të formulohet në bashkëpunim me ta.

“Duhet t’i japim kohë shtesë Qeverisë për ligjet që i kemi përpara. Është e rëndësishme, duhet zbutur diskutimet Qeveri-federata sepse kemi përpara një ligj që është kompleks, që e rregullon stabilitetin financiar të shtetit. Të gjithë kemi rëndë dakord që së bashku t’i drejtojmë kërkesat Qeverisë, partnerit social për hapat e mëtutjeshme. Kërkesa jonë e parë është ligji të punohet ngadalë”, deklaroi ai.

Hykolli ka thënë se të gjithë aktorët duhet të marrin pjesë në ndërtimin e këtij ligji, derisa tha që të gjitha qeveritë që kanë ardhur në pushtet, kanë premtuar përpilimin e këtij ligji. Ai thekson se është koha e fundit “që t’i diskutojmë këto ligji, sepse këto s’janë vetëm për sindikata por për tërë Kosovën”.

Në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, Hykolli ka përmendur veprime sindikale, derisa ka theksuar se presioni ndaj Qeverisë duhet të jetë i madh.

“Kosova nëpër shekuj ka kërkuar dialog social. I bëj thirrje Qeverisë edhe dikastereve që t’i thërrasin sindikatet në dialog dhe t’u jepet merita secilit për punën që bëjnë.”

Hykolli ka thënë se çështje tjetër është Ligji për skemat pensionale, duke theksuar se në të është një nen që i diskriminon punëtorët që në vitet e 90-ta ishin larguar nga puna nga okupatori serb.

“Jam ajo gjeneratë që jam larguar, masat e dhunshme e kanë quajtur si shtet paralel, atëherë pse ne kemi pasur për shembull, mjekët që kanë punuar në ordinancat e Nënës Terezë.”

Ai shtoi se ky ligj duhet të punohet mirë ngase pastaj nuk ka më kthim prapa.