Me komunikatë për media pas orës 22, Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin njëorësh gjatë ditës me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli. Përpos që tregon se janë takuar, komunikata nuk bën të ditur nëse greva do të ndërpritet.
Sipas njoftimit nga Qeveria, në takim me Hykollin ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Bëhet e ditur se u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, “kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro” çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga “dhe për veprimet e Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave”.
“Kryeministri Kurti e njoftoi z. Hykolli se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve”, thuhet në njoftim.
Komunikata vazhdon me pakon e Qeverisë për Përballje me Inflacionin, të prezantuar javën e shkuar, që parasheh shtesa prej 50 euro për katër muaj për të gjithë të punësuarit në sektor publik e ndihma edhe për studentë e pensionistë.
Kurti po ashtu në takim ka thënë se Qeveria është e gatshme t’i adresojë kërkesat sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik.
“Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri”, thuhet në komunikatë.
Edhe
Kurti takon Hykollin, flasin për të drejtat e punëtorëve
Hykolli ka qenë i paqasshëm në thirrjet e KOHËS të shtunën në mbrëmje.
Që nga 25 gushti, sektori publik është në grevë. Sindikalistët po kërkojnë nga 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, dhe përfshirjen në hartimin e këtij ligji. Po ashtu kërkesat e tyre lidhen edhe me ndryshimet në skemat pensionale për të larguarit gjatë viteve të ’90-ta.