Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon Hykollin, flasin për të drejtat e punëtorëve

Kryeministri, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

Sipas një njoftimit të zyrës për media të Qeverisë, në këtë takim është diskutuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat.

“Në kuadër të komunikimit të rregullt, kryeministri Kurti dhe Hykolli në këtë takim diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat”, thuhet në njoftim.

Në gusht të këtij viti BSPK-ja kishte shpallur grevë në administratën publike dhe në arsim. Grevistët kërkonin miratimin e Ligjit për paga si dhe shtesën prej 100 eurove për punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e tij.

Pa u plotësuar këto kërkesa, BSPK-ja më 1 tetor pati pezulluar grevën e filluar më 25 gusht.

Greva sipas BSPK-së do të jetë e pezulluar deri në janar të vitit 2023. Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, atëherë kishte thënë se shpresojnë që në janar të vitit 2023 nuk do të ketë nevojë për vazhdim të saj.