Udhëheqës të sindikatave në Kosovë vazhdimisht janë shprehur të pakënaqur sa i përket përkrahjes nga ana e Qeverisë, por edhe moskomunikimit. Ata thonë se në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre deri në mes të muajit prillit do të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes protestave.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli ka thënë se janë duke e pritur Ligjin e Pagave, duke shtuar se shpresojnë që ligji të kalojë dhe të plotësojë zbrazëtirën që e kanë pasur punonjësit.
Madje, ai ka theksuar se deri më tani kanë pasur një tkurrje të dialogut në raport me Qeverinë e vendit, duke pohuar se sindikatat i kanë metodat e veta me të cilat i arrijnë qëllimet.
“Tash jemi në një pikë ku jemi duke e pritur Ligjin e Pagave që ne dëshirojmë që sa më shpejt ky ligj të kalojë edhe sado kudo të plotësojë atë zbrazëtirën që e kanë pasur punonjësit e Kosovës. Sindikatat e kryejnë punën e vet, organizojnë dialogun social me partnerët social siç është Qeveria e Kosovës. Sindikatat i kanë edhe metodat e veta me të cilat i arrijnë qëllimet e veta. Deri më tani kemi njëfarë ngurrje rreth dialogut social, por po shpresojmë në të ardhmen e afërt do të kemi dialog social dhe do të kontribuojmë të gjithë në ndërtimin e vendit tonë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se raporti i tyre me Qeverinë e Kosovës është zero, kurse në raportin punëtorë-pronarë ai tha se kërkesat janë 80 për qind të realizueshme.
“Nëse e marrim në raport punëtorë-pronarë të kompanisë në kohën e fundit janë jashtëzakonisht duke u marr parasysh kërkesat tona dhe po themi që diku 70-80 për qind të kërkesave tona në raport me kompaninë janë të zbatueshme dhe po implementohen. Kurse në raport Sindikatë-Qeveri e Kosovës deri më tani nuk e kemi as lëvizjen më të vogël që mund të themi se dialogu në raport punëmarrës-Qeveri e kemi zero”, ka thënë Azemi.
Edhe
Paralajmërohen hapa radikalë nga sindikatat nëse Qeveria vazhdon injorimin
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se Ligji i Punës nuk po respektohet në rastet e pagesës së vikendeve, për çka edhe ka paralajmëruar protesta. Sipas tij, në rast se nuk gjejnë mirëkuptim që menaxhmenti i KEK-ut të bëjë pagesën e vikendeve do t’i drejtohen përmbaruesit.
“Që prej kohës së pandemisë nuk janë marrë shumë për bazë kërkesat tona edhe pse kemi kërkuar në vazhdimi. Ne kemi adresuar disa kërkesa të cilat pothuajse nuk janë realizua asnjëherë. Ne e kemi ndërmend që posa të shteren mundësitë që të protestojmë dhe të përdorim metodat tona sindikale, për arsye se nuk po hasim në mirëkuptim. Jemi duke u injoruar me kërkesat tona nga menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës. Ne kemi dhënë një afat menaxhmentit kur do të kemi një takim kah mesi i prillit, mirëpo në rast se nuk ka realizim të kërkesave tona që janë të ligjshëm. Ne si sindikatë na duhet të protestojmë të zbatohet Ligji i Punës”, ka thënë ai. /EO