Arbëri

Pas 7 vjetësh kritika, Lumezi thotë se e rriti kredibilitetin e Prokurorisë

Aleksandër Lumezi e përfundoi mandatin 7-vjeçar si Kryeprokuror i Shtetit.

E enjtja ishte dita e tij e fundit në postin që e mbajti që nga prilli i 2015-s.

7 vjet më herët, pritjet për Lumezin ishin të mëdha, por ndër vite ai u kritikua për rezultate thuajse të papërfillshme dhe për amnistim të politikanëve të fuqishëm.

Detyrën Lumezi ia kaloi përkohësisht prokurorit Besim Kelmendi, deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Pa praninë e mediave, Lumezi në takimin e Këshillit Prokurorial e bëri adresimin e fundit mbi postin më të rëndësishëm që e ka mbajtur ndonjëherë.

“Para vetes kam pasur sfida të mëdha, sfida reale, mirëpo duke iu falënderuar komunitetit të prokurorëve të shtetit, vlerësimit të tyre, bashkëpunimit të tyre dhe sinqeritetit, kam arritur që deri diku të zhvillojmë dhe të bëjmë lëvizje të caktuara brenda sistemit. Sot jemi një institucion shumë më kredibil se para disa vjetësh. Ju jeni faktikisht një mburojë e sistemit, një mburojë e prokurorëve, kryeprokurorëve dhe keni qenë një organ kolegjial që më keni përkrahur”, ka thënë Lumezi.

Prokurori Kelmendi, i cili do ta ushtrojë përkohësisht detyrën, ka qenë pjesë e Zyrës së kryeprokurorit Lumezi. Viteve të fundit ai është marrë me koordinimin e ndjekjes së sulmuesve të gazetarëve.

Rasti më i rëndësishëm që e ka ndjekur ishte ai i njohur si afera “Stenta”.

Për të, 64 persona përfunduan në një aktakuzë, mes të cilëve një sekretar dhe një ish-ministër. 6 vjet pas, rasti nuk ka marrë epilog.

E pozitën, Kelmendi nuk dihet se sa gjatë do ta ushtrojë.

Kjo varet nëse presidentja Vjosa Osmani do ta dekretojë apo jo Blerim Isufajn, kandidatin e propozuar për kryeprokuror nga Këshilli Prokurorial.

Lidhur me këtë, Osmani ka takuar të enjten përfaqësues të shoqërisë civile që e monitoruan konkursin për këtë pozitë. Pas takimit ka thënë se për dekretim, kandidati duhet t’i plotësojë disa kritere.

“Është thelbësore që çdo emërim të jetë rezultat i një procesi transparent dhe të drejtë, dhe që çdo kandidat të ketë integritet të dëshmuar gjatë karrierës. Këto janë parime themelore të cilat i kam ndjekur në çdo emërim që kam bërë”, u shpreh Osmani.

Procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit është shoqëruar me kritika të shumta nga shoqëria civile në Kosovë, por edhe nga ambasadat e huaja.