Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parullave ekstremiste serbe, Qeveria do t’iu përgjigjet me shtëpi të reja për shqiptarët

Gjatë vizitës në shtëpinë e vandalizuar të shqiptarit në Mitrovicë të Veriut, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë zotimin se kryerësit e veprës do të vihen para drejtësisë. E ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se, nëpërmjet grafiteve të vendosura në shtëpi të shqiptarëve në veri, Beogradi zyrtar po jep mesazhe politike

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar të enjten shtëpinë e një shqiptari në Mitrovicë të Veriut, e cila është vandalizuar me grafite që përmbajnë parulla ekstremiste.

Dy zyrtarët qeveritarë kanë dhënë mesazhe kundër urrejtjes ndëretnike dhe kanë thënë se i mbështesin ata qytetarë që dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ministri Sveçla ka bërë zotimin se kryerësit e veprës do të vihen para drejtësisë.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtjes ndëretnike, çfarëdo gjuhe që nxit dhunë është e dënueshme. akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë më herët, për Serbinë e Rusinë nuk ka vend në Kosovë”, ka theksuar Sveçla.

E ministri Krasniqi ka thënë se, nëpërmjet grafiteve të vendosura në shtëpi të shqiptarëve në veri, Beogradi zyrtar po jep mesazhe politike.

“Këto grafite tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.

Edhe Sveçla e Krasniqi në Mitrovicë të Veriut: Kërcënimet e Serbisë nuk na trembin Arbëri Sveçla e Krasniqi në Mitrovicë të Veriut: Kërcënimet e Serbisë nuk na trembin

Krasniqi ka paralajmëruar se shumë shpejt do të hapë thirrjen e re për ndërtimin e shtëpive të reja për shqiptarët në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Buxheti i ndarë për to është në shumën 3 milionë euro.

Gjatë vizitës së ministrave, Policia ka hequr billbordin në një kodër në lagjen “Kroi i Vitakut”, dhe i cili përmbante flamurin e Serbisë.

Vandalizimin e shtëpisë në Mitrovicë të Veriut e ka raportuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh. Sipas raportit, rasti është duke u hetuar si “nxitje, urrejtjeje dhe mosdurim ndëretnik”.