Arbëri

Partitë ende të papërcaktuara për koalicionet

Kanë mbetur edhe tri ditë kohë që partitë politike t’i deklarojnë koalicionet parazgjedhore. Ndonëse deri tash nuk i kanë zyrtarizuar, shumica prej tyre i mbajnë të hapura kanalet e bashkëpunimit. LVV-ja synon ta mbajë aleancën me partinë Guxo dhe Alternativën, PDK-ja është e hapur për krijimin e një fronti të gjerë koalicioni nën sloganin e partisë dhe këtë e synon edhe LDK-ja për vete

Të dielën e 30 nëntorit do të mbyllet afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për lidhjen e koalicioneve mes partive politike, për zgjedhjet e parakohshme.

Por, ndonëse kanë mbetur edhe tri ditë afat, asnjë nga subjektet e mëdha politike nuk ka bërë ndonjë marrëveshje.

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të vazhdojë bashkëpunimi me Listën Guxo dhe Alternativën.

“Normalisht që si Lëvizje Vetëvendosje ka diskutime, ka pasur. Ne kemi pasur partnerët e deritanishëm, pra partinë Guxo dhe partinë Alternativa, që si rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë që kemi pasur besoj ka gatishmëri të vazhdohet tutje. Ndërkaq sa u përket bashkëpunimeve të reja, mbetet të shihet dhe i takon edhe subjektit që të deklarohet për këto çështje”, ka thënë Murati.

Të gatshëm për koalicione u shprehën edhe në Partinë Demokratike, subjekt i cili synon krijimin e një blloku të gjerë që do të mundësonte formimin e qeverisë së ardhshme me Bedri Hamzën kryeministër.

Por, në PDK thanë se lista e kandidatëve do bëhet nën emrin e partisë.

“Kjo nuk do të thotë se kemi vija të kuqe me këdo. Përkundrazi, jemi të hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera politike, për ta krijuar një front më të gjerë dhe më efikas, me qëllimin që ta themelojmë Qeverinë e re dhe ta kemi z. Bedri Hamza kryeministër të Kosovës. Në ditët në vijim pritet të kemi edhe aderime të reja të profesionistëve, intelektualëve e veprimtarëve të segmenteve të ndryshme shoqërore”, thuhet në një përgjigje të shkruar të PDK-së.

Edhe në Lidhjen Demokratike e rikonfirmuan se pavarësisht se kush do bashkëpunim me ta, duhet të pajtohet që të garojë nën siglën e LDK-së.

Kjo parti ka zhvilluar bisedime për bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate, por asnjëra e as tjetra nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse është afër marrëveshja.

Deri tash AAK-ja është zotuar se do t’i hyjë garës e vetme, pa koalicione me partitë e tjera.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se diskursi i ashpër mes subjekteve politike e ka vështirësuar edhe bashkëpunimin.

Ai thotë se rezultati zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje do t’i diktojë edhe koalicionet paszgjedhore.

“Qytetarët ose duhet t’ia japin 30 ose 50 për qind. Sepse nëse ia japin 30 për qind, atëherë do të ndryshojë i gjithë konteksti, nuk do të ketë më as fytyrë që ta kërkojë pushtetin e plotë, gjithsesi duhet të bëjë kompromise. Nëse i fiton 50 për qind, qeveris e vetme. Por çdo gjë në mes këtyre përqindjeve do të jetë vazhdimësi e bllokadës”, ka thënë Muhaxhiri.

Të dielën, më së largu deri në orën 16:00, partitë politike duhet t’i deklarojnë koalicionet parazgjedhore.