Kosova ka qenë në mesin e temave të trajtuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të fqiut verior. Pas kësaj mbledhjeje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka dhënë detaje për takimin e djeshëm me tre emisarët evropianë. Sipas tij, një propozim të ri e kanë marrë palët përkitazi me procesin e dialogut
Kornizë e re për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë u tha të jetë propozuar nga tre të dërguarit evropianë, gjatë vizitave të tyre në të dyja shtetet.
Të premten Kosovën e Serbinë e vizituan emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e të dërguarit e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Në Qeverinë e Kosovës kanë qenë të rezervuar për informatat mbi përmbajtjen e takimit, por detaje të bisedimeve dyorëshe në Beograd ka shpalosur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në konferencën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në këtë shtet, ai i është referuar propozimit të marrë nga zyrtarët evropianë.
“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka deklaruar Vuçiqi.
Presidenti i fqinjit verior njëkohësisht ka shtuar se propozimi i evropianëve për kornizë të re të bisedimeve gëzon edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ajo bisedë sigurisht që nuk ka qenë aspak e lehtë. Përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme kanë theksuar se për këtë kanë mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë, besojnë se në kushtet kur ka luftë në Evropë nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje më e shpejtë”, ka thënë ai.
Lidhur me përmbajtjen e propozimit, detaje nuk janë dhënë nga Bashkimi Evropian.
E emisari Lajçak, me t’i përmbyllur takimet e djeshme me Kurtin e Vuçiqin, ka paralajmëruar dinamikë të re në dialog.