Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur të vështirë takimin që ka pasur me pesë diplomatët perëndimor të shtunën.
“Takim i vështirë me pesëshen. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, ka shkruar Vuçiqi në rrjete sociale, pas takimit që ka pasur me emisarin amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, atë evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë e Italisë.
Pas takimit, Lajçaku ka thënë para gazetarëve se tema e vizitës ishte se si të arrihet përparim në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe shtensionim të situatës, pas ngjarjeve të fundit. Ai ka përsëritur fjalët që i tha në Kosovë se pesëshja dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe se ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë e se ndërkombëtarët presin bashkëpunimin e plotë të Serbisë në këtë drejtim.
Lajçaku ka thënë se pa normalizim të raporteve e zbatim të marrëveshjeve “nuk do të ketë të ardhme evropiane për Serbinë e Kosovën”.
Para takimit me Vuçiqin, pesëshja u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas takimit, Lajçaku bëri të ditur se kanë prezantuar një plan të cilin ka paralajmëruar se do t’ia prezantonin edhe Vuçiqit. Kurti ka falënderuar për planin ndërsa ka shtuar se pret “zhvillime intensive”.