2 perditesime
11:59

Lajçak thotë se erdhën me një plan për Kurtin e Vuçiqin

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, ka thënë se kanë ardhur në Prishtinë me një plan të cilin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti. Por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Lajçaku, pas takimit me Kurtin, të shtunën ka theksuar se planin do ta diskutojnë më vonë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë me Vuçiqin. Nuk do të japë detaje”, ka thënë Lajçak.

I dërguari i BE-së gjatë adresimit për media ka thënë se pa formimin e Asociacionit, Kosova nuk mund të bëjë përparim drejt rrugës në Bashkimin Evropian. Ka vlerësuar gatishmërinë e Kurtit për diskutime në të ardhmen e afërt.

“Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizim, nëse Kosova dëshiron të bëjë progres në BE. Duhet ta përsëris që Asociacioni të formohet pa vonesa. Pa këtë, s’do të ketë progres të Kosovës në integrimin evropian. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet së shpejti. Tani do ta vazhdojmë misionin në Beograd, ku do ta takojmë presidentin Vuçiq”, ka thënë ai.

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, sipas emisarit evropian, ka dëshmuar se normalizimi dhe shtensionimi janë më se urgjente, ndërsa ka porositur liderët se kushtet dhe vonesat për normalizim janë të papranueshme. 

“E dëgjuam me kujdes Kurtin dhe shqetësimet e tij për sigurinë e Kosovës. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga personat e armatosur përbën një precedent. Dënuam sulmin e 24 shtatorit. E bëmë të qartë që fajtorët të sillen para drejtësisë dhe presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë në këtë çështje. Sulmi tregoi se normalizimi dhe shtensionimi janë më urgjente se kurrë. Kushtet dhe vonesat janë të papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbahen obligimeve të dialogut. Sulmi nuk ndryshon faktin se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më herët këtë vit”, ka shtuar Lajçak.

Lajçaku ka bërë të ditur se sulmi në Banjskë është duke u hetuar nga BE-ja dhe NATO-ja.

“Procesi është duke vazhduar. BE-ja dhe NATO janë duke hetuar faktet. Do të informoheni për rezultatet”, ka thënë ai.

 

10:19

Arrijnë në Qeveri diplomatët perëndimorë

Pesë diplomatët perëndimorë kanë arritur në Qeverinë e Kosovës.

Ata priten nga kryeministri Albin Kurti për, siç është thënë, ringjalljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në takim ka shkuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.  

08:13

Diplomatët perëndimorë sot në Kosovë

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, do të jenë në Kosovë të shtunën.

Diplomatët do të priten në zyrën e Kryeministrit në orën 10:00, e më pas ata do të vazhdojnë në Serbi.

Siç kanë thënë ata, qëllimi i vizitës është që të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe depërshkallëzimin pas zhvillimeve të fundit.

Në takim marrin pjesë Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës, ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministrit të Italisë Francesco Talo.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur më 14 shtator të këtij viti, ku palët kishin dështuar të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, gjë për të cilën BE-ja e kishte lënë fajtore palën kosovare.

Ndërkohë, BE-ja po vazhdon t'i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është duke shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan mes grupit të armatosur dhe Policisë së Kosovës, u vranë edhe tre sulmues.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se se ka tentuar ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deriatëhershëm i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Serbia i mohoi akuzat.