Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 21 tetor do të udhëtojnë për në Kosovë dhe Serbi për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka njoftuar se qëllimi i vizitës është të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe në deeskalimin pas zhvillimeve të fundit.
Krahas Lajçakut në këtë vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës, ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
"BE-ja, shtetet anëtare të saj dhe SHBA-ja mbeten mbështetës të fuqishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Ne kemi pritshmëri të qarta që palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe do të përmbushin detyrimet e tyre pa vonesa apo kushte”, ka thënë ai.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur më 14 shtator të këtij viti, ku palët kishin dështuar të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, gjë për të cilën BE-ja e kishte lënë fajtore palën kosovare.
Ndërkohë, BE-ja po vazhdon t'i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është duke shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan mes grupit të armatosur dhe Policisë së Kosovës, u vranë edhe tre sulmues.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se se ka tentuar ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deriatëhershëm i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Serbia i mohoi akuzat.